Tragjedia në hekurudhë/ Jep dorëheqjen ministri i Infrastrukturës dhe Transportit në Greqi

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit ka dhënë dorëheqjen pas aksidentit tragjik, që ndodhi në Greqi.

Lajmin e ka bërë të ditë vetë ministri Kostas Karamanlis.

Sapo jam kthyer nga skena e tragjedisë në Tempe. Dhimbja është e papërshkrueshme. Është fakt që hekurudhën greke e kemi marrë në një gjendje që nuk i përshtatet shekullit të 21-të.

Në këto 3.5 vite kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta përmirësuar këtë realitet. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një aksident të tillë.

Dhe kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe për mua personalisht. Kur ndodh diçka kaq tragjike, nuk mund të vazhdoj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Unë kam disa vite që jam pjesë e politikës, por e konsideroj element të domosdoshëm të demokracisë sonë që qytetarët e vendit tonë t’i besojnë sistemit politik.

Kjo quhet përgjegjësi politike. Për këtë arsye po jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit.

Kjo është një shenjë minimale respekti për kujtimin e njerëzve që humbën jetën padrejtësisht dhe po mbaj përgjegjësinë për gabimet e përjetshme të shtetit dhe sistemit politik grek.

Nga thellësia e zemrës, edhe një herë shpreh dhimbjen dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”.

Kategoritë
BotaLajme