Trajneri i Ballkanit, Daja: Presim një ndeshje akoma më të vështirë sesa ajo në Sivas

Daja së bashku me mesfushorin Qendrim Zyba zhvilluan një konferencë për media në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë

Trajneri i klubit kosovar Ballkani, Ilir Daja, para ndeshjes së javës së katërt në Ligën e Konferencës së UEFA-s kundër klubit turk Demir Grup Sivasspor, tha se presin një ndeshje akoma më e vështirë sesa në Sivas, raporton Anadolu Agency (AA).

Daja së bashku me mesfushorin Qendrim Zyba zhvilluan një konferencë për media në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Duke u shprehur se janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e të luajturit para tribunave të plota, Daja tha: “Mendojmë që ne jemi gati por që në ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë akoma më shumë se ç’kemi bërë një javë përpara në mënyrë që të marrim atë që presim të gjithë, apo që presin edhe nga ne”.

Sipas tij, tashmë pas tri ndeshjeve, fakti që të gjitha ekipet kanë pikë të njëjta tregon se nuk do të ketë më ndeshje të lehta.

“Çdo ndeshje që kalon është akoma më e vështirë. Ne bëhemi më të mirë sepse fitojmë eksperiencë edhe në këto nivele. Presim që do të jetë një ndeshje akoma më e vështirë sesa ajo në Sivas. Edhe për vetë faktin se ato vijnë nga një fitore në kampionatin vendas, ndeshjen të cilin e kemi ndjekur. Por që në fund fare kërkojnë edhe ato revansh ndaj nesh sepse bashkë me Slavia-n edhe Cluj-in janë ekipe me më shumë eksperiencë sesa ne por që ne kësaj nuk i druhemi, vetëm që na bën edhe neve më të fortë. Nëse duam të shkojmë atje ku të kënaqen të gjithë tifozët në Kosovë. Besojmë që duhet të luajmë akoma më fort në fushën tonë”, tha Daja.

Ai shtoi se në ndeshje do të dalin me një skuadër të ngjashme si në Sivas, pasi në ekip gjenden futbollistë të lënduar dhe suspenduar.

Mesfushori Zyba, nga ana e tij, tha se do të dalin në një ndeshje të vështirë, por për të arritur rezultatin që do të kënaqë tifozët, do të shfaqin përpjekjen e duhur.

Ai shprehu edhe emocionet se të gjitha biletat e ndeshjes janë shitur, duke shtuar: “Dihet kualiteti i kundërshtarit dhe ne kemi marrë një rezultat mjaft pozitiv në udhëtim. Por shpresojmë do të jemi maksimalisht të përqendruar që t’i gëzojmë të gjithë sportdashësit kosovarë, shqiptarë dhe gjithkah që na përkrahin. Premtojmë që do të japim maksimumin dhe do të kemi përqendrim maksimal në këtë ndeshje sepse na pret një ndeshje mjaft e vështirë”.

Ballkani, një ekip i Komunës së Suharekës, ndeshjen do ta luajë në Stadiumin Fadil Vokrri të kryeqytetit, pasi stadiumi i tij nuk i plotëson kriteret e UEFA-s.

 

Kategoritë
LajmeSport