Transferi i Ramosit befasoi edhe bashkëshorten e tij, e cila refuzoi të shpërngulet me të në një kontinent tjetër

Legjenda e futbollit spanjoll, Sergio Ramos (38), befasoi të gjithë me zgjedhjen e tij të re, duke vendosur të pranojë ofertën e klubit meksikan Monterrey, me të cilin nënshkroi kontratë të premten.

Kjo zgjedhje e befasoi edhe bashkëshorten e tij, Pilar Rubio (46), e cila është tetë vjet më e madhe se Ramos. Rubio vendosi të mos shpërngulet në Meksikë dhe të mos vazhdojë jetën me partnerin e saj atje.

Rubio, që punon si prezantuese televizive, ka marrë vendimin të qëndrojë në Spanjë dhe të vazhdojë jetën e saj në vendlindje, ndërsa Sergio do të jetë i vetëm në Meksikë. Sipas gazetarit të Bilda, Javi de Hoyos, Pilar e mori këtë vendim për arsye profesionale.

“Pilar Rubio nuk do të shpërngulet në Meksikë me Sergio Ramosin. Të premten e kaluar, një burim i afërt me Pilar më tha se ajo është e lodhur nga shpërnguljet e vazhdueshme. Ajo u shpërngul me të në Paris, më pas Ramos u rikthye në Sevillë. Më pas Pilar vendosi të qëndrojë në Madrid për arsye profesionale. Ajo me të vërtetë e pëlqen jetën atje,” tha De Hoyos.

Rubio është një gazetare, prezantuese televizive dhe modele e njohur në Spanjë. Vendimi i saj për të qëndruar në Spanjë mund të lidhet edhe me pjesëmarrjen e saj si gjyqtare në garën javore të Antena 3 El Desafío dhe në një reality show mode, Maestros de la Costura Celebrity.

“Kur Ramos mori këtë vendim, Pilar tha: ‘Këtë herë nuk do të lëshoj pe. E kam bërë dy herë më parë. Tani do të qëndroj këtu, në Madrid. Familja do të qëndrojë këtu, ndërsa Sergio shkon vetëm,” tregoi gazetari i Bilda.

Çifti e nisi lidhjen në vitin 2012 dhe u martuan shtatë vjet më vonë. Ata kanë katër fëmijë – Sergio Junior, Marco, Alejandro dhe Maximo Adriano.

Klubi i ri i Ramosit, Monterrey, do të jetë një nga 32 ekipet pjesëmarrëse në Kupën Botërore të Klubeve të FIFA-s këtë verë në SHBA.

Ata do të konkurrojnë në Grupin E, së bashku me River Plate, Urawa Red Diamonds dhe Interin e Milanos.

Kategoritë
Sport