Tre avionë me ndihmë ushtarake për Ukrainën nga SHBA zbarkuan në Poloni, dërgesa e fundit nga Biden

Tre avionë transportues Boeing 747 të Forcave Ajrore të SHBA zbarkuan mbrëmë në aeroportin polak Rzeszów-Jasionka. Fluturimi i këtyre tre avionëve u organizua nga Komanda e Transportit e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për të transportuar një ngarkesë armësh për Ukrainën.

Aeroporti polak Rzeszów-Jasionka që nga fillimi i luftës në Ukrainë përdoret si bazë logjistike për pranimin e ndihmës perëndimore që dërgohet në Ukrainë.

Sipas mediave ukrainase, kjo ngarkesë mund të jetë pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 500 milionë dollarësh, të cilën presidenti në largim Joe Biden e nënshkroi si pjesë të autoritetit presidencial për të alokuar fonde. Me këtë, ndihma totale ushtarake që ka ofruar administrata amerikane do të arrijë mbi 65 miliardë dollarë.

Dërgesa më e fundit pritet të përfshijë municione për HIMARS, raketa HARM për shkatërrimin e radarëve, mina kundër këmbësorisë, municione artilerie 155 mm, raketa kundër tankeve TOW dhe pjesë rezervë për avionët luftarakë F-16 të Ukrainës.

Aeroporti polak është shndërruar në një qendër për pranimin dhe përpunimin e ndihmave humanitare dhe ushtarake që në fillim të luftës në Ukrainë, si i vetmi aeroport i NATO-s pranë kufirit ukrainas me një pistë të përshtatshme për avionët e mëdhenj transportues.

Kategoritë
BotaLajme