Tregu gjerman i pasurive të paluajtshme në krizën më të madhe në dekadat e fundit

Çmimet e patundshmërive në Gjermani vazhduan të bien, kështu që çmimet e tyre në tremujorin e tretë të këtij viti ishin 10.2 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një shenjë e keqe për sektorin e pasurive të paluajtshme në ekonominë më të madhe të Evropës.

Bëhet fjalë për katër ulje çmimesh radhazi tremujore, gjë që nuk ka ndodhur që nga viti 2000, kur zyra e statistikave të këtij vendi mban evidencë.

Kjo është kriza më e madhe në tregun e pasurive të paluajtshme në dekadat e fundit.

“Deri vitin e kaluar, kishte një flluskë çmimesh spekulative në Gjermani, një nga më të mëdhatë në 50 vitet e fundit. Çmimet kanë rënë që atëherë. Flluska ka shpërthyer,” tha Konstantin Kholodilin nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW).

Sektori i pasurive të paluajtshme në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Evropës ka pasur një lulëzim prej vitesh për shkak të normave të ulëta të interesit dhe kërkesës së lartë. Megjithatë, rritja e mprehtë e normave të interesit dhe kostos së jetesës i dhanë fund kësaj.

Rënia e çmimeve të shtëpive familjare në qytetet më të mëdha gjermane ishte veçanërisht e theksuar në tremujorin e tretë – ajo arriti në 12,7 për qind, ndërsa çmimet e apartamenteve ishin më të ulëta për 9,1 për qind. Gjithashtu, porositë në industrinë e ndërtimit janë ulur me 6.3 për qind në muajin tetor në krahasim me muajin paraardhës.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Ndërtimit njoftoi se sektori i ndërtimit të ndërtesave të banimit është në rrugën e vazhdimit të uljes së numrit të vendeve të punës.

Kompania austriake e pasurive të paluajtshme Signa, e cila ka një prani të konsiderueshme në Gjermani, shpalli falimentimin muajin e kaluar, e cila konsiderohet viktima më e madhe e krizës në tregun e pasurive të paluajtshme, raporton Reuters.

Kategoritë
Ekonomi