Treni i evakuimit, shpresa e fundit për njerëzit që largohen nga zonat e luftës në Ukrainë

“Deri më tani, 10 mijë njerëz janë evakuuar nga këtu me trenin e evakuimit”, tha Inna Fomina, kryeinspektore e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës në qarkun Pokrovsk

Treni i evakuimit, i vetmi shërbim hekurudhor në rajonin ukrainas Donetsk që dërgon civilët në pjesë më të sigurta të vendit çdo mbrëmje, deri më tani ka transportuar rreth 10 mijë njerëz nga Pokrovsk, rreth 100 kilometra larg zonave të vijës së frontit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Deri më tani, 10 mijë njerëz janë evakuuar nga këtu me trenin e evakuimit”, tha për AA Inna Fomina, kryeinspektore e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës në qarkun Pokrovsk.

Fomina tha se njerëzit nuk lejohen të hipin në autobus për shkak të luftës, duke shtuar se “mund të shkojnë vetëm me tren”.

Shërbimi i trenave është falas, theksoi ajo, duke shtuar se dy trena shtesë të rregullt nisen nga i njëjti stacion hekurudhor gjatë ditës dhe disa njerëz po i përdorin ata për të ikur nga zonat e luftës.

Përderisa lufta e Rusisë kundër Ukrainës zgjatë, civilë nga qytetet e vijës së parë, si Bahmut, Kramatorsk, Seversk, Slavyansk dhe Konstantinovka, si dhe fshatrat e afërta pranë vijës së frontit lindor të Donetskut, erdhën në Pokrovsk për të përdorur trenin e evakuimit.

Duke përshkruar procesin e largimit të njerëzve nga zonat e rrezikut dhe transportimin e tyre në qytete tjera, Fomina thotë se treni niset nga Pokrovsk çdo mbrëmje, duke çuar fillimisht njerëzit në qytetin Dnipro.

Zoya Akberova, një grua e cila ishte duke pritur shërbimin e trenit në ambulancë me nënën e saj të moshuar dhe të sëmurë, tha për AA se nuk mund të qëndronin më në rajon dhe donin të largoheshin.

64-vjeçarja tha se ata jetonin në Lysychansk, pjesë e rajonit të Luhanskut, i cili u pushtua nga ushtria ruse në qershor. Ata fillimisht u shpërngulën në fshatin Verkhnekomenskoye, afër qytetit Bahmut, bashkë me burrin e saj dhe nënën e saj në moshë, ndërsa tani duhet të largohen sërish.

“Unë po e çoj nënën time të moshuar dhe të sëmurë në qytetin Poltava. Nuk kemi ku të qëndrojmë atje”, tha ajo.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar dënimin ndërkombëtar, ka çuar në vendosjen e sanksioneve financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Sipas OKB-së, të paktën 5.237 civilë janë vrarë dhe 7.035 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Megjithatë, OKB ka paralajmëruar se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë pasi qasja në zonat e përleshjeve mbetet e kufizuar.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, gjithashtu tha se rreth 10 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje.

Kategoritë
BotaLajme