Tri dekada nga krimet çnjerëzore në Prijedor: 3.176 civilë të vrarë dhe 550 të zhdukur

Nesër do të falet namazi i xhenazes në Prijedor dhe do të bëhet varrimi i 16 viktimave të tjera të krimeve në zonën e komunës.

Në vitet 1990, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Prijedor u vranë 3.176 civilë, kryesisht me kombësi jo-serbe. Deri më tani janë gjetur eshtrat e rreth 2.500 personave nga Prijedori, ndërsa më shumë se 550 viktima janë ende në kërkim.

Nesër do të bëhet falja e namazit të xhenazes dhe varrimi i 16 viktimave të tjera në Prijedor të krimeve të kryera në zonën e komunës.

Jasmin Mediq, doktor i shkencave historike dhe bashkëpunëtor në Institutin kërkimor të Historisë të Universitetit të Sarajevës, është me origjinë nga Kozarac dhe babai i tij u vra në Korićanske stijene. Ai me Anadolu Agency (AA) foli për shkallën e krimeve të kryera në vitet 1990 kundër boshnjakëve dhe kroatëve në zonë.

“Në 15 vitet e fundit, 20 korriku është marrë si dita kur bëhet varrimi i dëshmorëve në Prijedor. Më 20 korrik 1992, strukturat ushtarake dhe policore serbe sulmuan fshatrat në bregun e majtë të Sana-Çarakovë, Zecove, Hambarine, Rakovçane, Rizvanoviç, pas kësaj është sulmuar edhe fshati Brishevo. Atëherë ka ndodhur masakra me e madhe ne zonën e komunës se Prijedorit, numri me i madh i vrasjeve. Sipas hulumtimeve te deritanishme, rreth 1.500 boshnjakë dhe civilë kroatë u vranë në këto fshatra në vitin 1992”, tha Mediq.

Siç tha ai, duke pasur parasysh përmasat e krimit, data 20 korrik është marrë si datë për faljen e namazit të xhenazes dhe varrosjen e viktimave.

Kampet përreth Prijedorit ishin vende të vrasjeve dhe torturave, duke përfshirë dhunën seksuale. Më shumë se 32.000 qytetarë të Prijedorit u mbajtën ilegalisht në 58 kampe përqendrimi ose vende të tjera të paraburgimit.

“Në Prijedor ka pasur tre kampe specifike për disa gjëra. Në kampin ‘Trnopolje’ nga maji deri në fund të shtatorit janë mbajtur 23.000 persona. Trnopolja ishte kampi me numrin më të madh të të burgosurve në territorin e ish-Jugosllavisë. Në Omarska, sipas hulumtimeve të mëparshme, u vranë 458 persona, ndërsa në Keraterm 361. Specifike për Prijedorin janë edhe shiritat e bardha. Specifike për Prijedorin është gjithashtu fakti se në asnjë komunë që është sot pjesë e Republikës Srpska, nuk janë deportuar aq shumë njerëz sa në territorin e komunës së Prijedorit. Deri në fund të vitit 1992, tashmë ishin rreth 50.000 boshnjakë dhe kroatë të deportuar”, theksoi Mediq.

Ai më tej shtoi se specifikë tjetër e Prijedorit është se më shumë se 90 për qind e intelektualëve boshnjakë dhe kroatë janë vrarë.

“Një gjë tjetër specifike për Prijedorin janë krimet sadiste në kampet e Prijedorit, konkretisht në Omarska dhe Keraterm. Kishte krime sadiste të pakuptueshme për mendjen njerëzore në këto kampe. Ajo që është e pakuptueshme për mua është fakti që këto krime sadiste janë kryer nga njerëz që i njihnin viktimat, pra, ishin miqtë e tyre, kumbarët, fqinjët… Ka ndodhur që një nxënës të vriste mësuesin e tij, që një mësues ka bërë krim ndaj nxënësit të tij dhe të gjithë këta ishin njerëz që kanë jetuar aty. Specifikë e Prijedorit është gjithashtu se mbi 95 për qind e krimeve janë kryer nga serbët e Prijedorit”, shpjegoi Mediq.

Sipas tij, është e paimagjinueshme që krime të tilla kanë ndodhur në një zonë ku ishte trashëguar vëllazërim-bashkimi në kuptimin e plotë të fjalës.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, të miturit janë përdorur si “mburojë e gjallë” në Prijedor.

“Kemi disa dëshmi të të miturve që mbijetuan dhe u përdorën si ‘mburojë e gjallë’. Shumë të mitur gjithashtu u mbajtën në kampe. Një numër i të burgosurve edhe u vranë në kampe, një u vra gjithashtu në Korićanske stijene”, deklaroi Mediq për AA.

Ai theksoi se në vitin 1992, shumica absolute e boshnjakëve dhe kroatëve të Prijedorit mbetën pa asgjë në atë zonë.

“Për t’u larguar nga zona e komunës së Prijedorit, ata u detyruan të nënshkruajnë një deklaratë në të cilën vullnetarisht heqin dorë nga prona e tyre në favor të Republikës serbe të BeH-së, apo Republika Srpska”, tha Mediq.

Boshnjakët e vrarë u hodhën në varre individuale, të përbashkëta dhe masive. Deri më tani, eshtrat e qytetarëve të vrarë të Prijedorit janë gjetur në 501 lokacione, në 73 varreza masive (primare dhe dytësore) në dhjetë komuna dhe tre shtete – Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

“Ajo që është e rëndësishme për Prijedorin është fakti se eshtrat e të vrarëve janë gjetur edhe në territorin e Kroacisë, në atë pjesë të Kroacisë që ka qenë nën kontrollin serb deri në vitin 1995. Eshtrat janë gjetur edhe në Serbi. Eshtrat e boshnjakëve dhe kroatëve të vrarë nga Prijedori u gjetën në të gjithë Krajinën e Bosnjës”, tha Mediq.

Me rastin e 30-vjetorit nga fillimi i krimit ndaj Prijedorit dhe boshnjakëve dhe kroatëve, Mediq, i cili është me origjinë nga Kozarac dhe babai i të cilit u vra në Korićanske stijene, foli edhe pse gjykata nuk e karakterizoi këtë krim lufte si gjenocid.

“Ne për 30 vite fjalë për fjalë kërkuam nga njerëzit në anën tjetër, pra serbët e Prijedorit, të flasin për atë që është bërë. Ne edhe sot kemi mbi 550 persona që nuk u janë gjetur eshtrat. Përvjetori i tridhjetë është një pikë kthese. Nuk pres më nga ana tjetër, të bëjë një katarsis, të sjellë ndonjë ndryshim të vetëdijesimit, madje mund të them që kjo nuk më intereson më, tani po flas nga këndvështrimi i një njeriu që ka lindur atje. Fakt është se nëse kjo gjeneratë e serbëve të Prijedorit nuk përballet në mënyrë adekuate me të kaluarën, këtë barrë do t’ua lërë brezave të ardhshëm”, tha Mediq.

Ai foli edhe për ndjekjen penale të autorëve të krimeve në zonën e Prijedorit.

“Disa persona janë akuzuar edhe për gjenocid, por është e vështirë të dokumentohet qëllimi gjenocidal. Sipas mendimit tim dhe të shumë shkencëtarëve të tjerë të shquar, qëllimi gjenocidal është paraqitur më 12 maj 1992, në seancën e 16-të të Kuvendit të Republikës serbe të BeH-së, kur u paraqitën gjashtë qëllime strategjike. Prandaj, pala që paraqet qëllime të tilla strategjike nuk mund të jetë në defanzivë. Padyshim që ky është qëllim gjenocidal, mirëpo Gjykata e Hagës nuk e mori këtë si dëshmi të qartë të qëllimit gjenocidal. Në rastin kundër Ratko Mlladiqit, u paraqit absurditeti që nuk janë vrarë mjaft njerëz në atë zonë”, shpjegoi Mediq.

Siç tha ai, sipas përkufizimit të gjenocidit, argumenti kryesor nuk është numri i të vrarëve, por vetë qëllimi dhe gjithë ajo që është kryer.

“Nëse kemi faktin se, sipas regjistrimit të vitit 1991, mbi 50.000 boshnjakë dhe kroatë jetonin në zonën e komunës së Prijedorit dhe se sipas regjistrimit të vitit 1995, kishin mbetur rreth 1.000, kjo tregon qartë se është kryer gjenocid, përveç gjithë asaj që e thash – vrasje, përndjekje, konfiskim të pasurisë, grabitje…”, tha Mediq.

Ai beson se Prijedori ishte i një rëndësie strategjike për politikën serbe për dy arsye.

“E para është fakti që ndodhet në mes të Krajinës dhe Semberisë. Nga ana tjetër, një nga qëllimet e deklaruara ishte që Una të ishte kufiri perëndimor i shtetit të ardhshëm serb. Në Prijedor, sipas regjistrimit të vitit 1991, boshnjakët ishin në një shumicë relative, kështu që për serbët ishte e rëndësishme që autoritetet të vendosin dominim të përhershëm etnik në atë zonë”, tha Mediq.

Sipas tij, Prijedori është qyteti me numrin më të madh të kriminelëve të dënuar të luftës.

“Prijedori është komuna numër një në botë për sa i përket numrit të kriminelëve të dënuar të luftës. Pra, deri më tani, 61 persona janë ndjekur penalisht për krimet e kryera në Prijedor”, shtoi Mediq.

Kategoritë
LajmeRajoni