Tri orët e Jasharajt dhe Nagavcit: Ishte takim i vështirë, mund të merremi vesh në fundjavë

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, pret nga qeveria që të mos këmbëngulë dhe të marrë parasysh kërkesat e sindikatave.

Ai, pas takimit në Këshillin Ekonomik Social, u shpreh optimist se në vikend do të arrihet marrëveshja.

“Nuk mund të flas tani se janë njerëzit tjerë që i bëjnë këto planifikime dhe unë besoj që BSPK-ja është e gatshme për dialog. Çfarë do të bëjë konkretisht unë nuk mund të them se është ekipi i ekspertëve. Atë që neve na thonë nëse jam njëri prej përfaqësuesve të BSPK-së në takim do të marrë vendimet edhe nga anëtarësia edhe nga ekipet e ekspertëve dhe do t’ia paraqesim qeverisë. Me urimin që edhe qeveria mos të këmbëngulë me vendimet e veta – 50 euro dhe pikë. Nëse të dy palët jemi vërtetë për dialog, e shtuna dhe e diela mund të sjellin edhe ndryshime. Nëse jo, atëherë fatkeqësisht do të kemi një situatë që nuk e ndryshojmë as ne”.

Jasharaj tha se takimi prej tre orësh ishte i vështirë.

“Ishte takim i vështirë për vet faktin që Këshilli Ekonomik nuk është takuar tani e katër muaj dhe ka pasur tema që janë grumbulluar dhe kishte edhe tema të tjera jashtë kërkesave tona. Qeveria tha se ka bërë shumë gjëra, që edhe nuk mund t’i mohojmë, por kërkesa jonë është që ata të ulen të shtunën dhe të dielën”.

Sot, me fillim nga ora 15:00, është mbajtur mbledhja e Këshillit Ekonomik Social mes sindikatave, ministrit të Financave Hekuran Murati dhe asaj të Arsimit Arbërie Nagavci.

Kategoritë
LajmeVendi