Trofeu i Botërorit “Katar 2022” shpaloset në Shkup

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe legjenda e futbollit brazilian, Gilberto Silva, së bashku zbuluan trofeun e artë të Kupës së Botës FIFA 2022.

Në prag të Kampionatit Botëror në futboll (FIFA World Cup) trofeu i artë, i cili i ndahet fituesit të kampionatit, ka mbërritur në Shkup, së bashku me legjendën e futbollit brazilian, Gilberto Silva.

Trofeu u mirëprit në Shkup nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM), Muhamed Sejdini, drejtori i politikave korporative dhe qëndrueshmërisë në Birraria – Shkup, Lambro Patche dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë Coca-Cola, Luca Santandrea.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe legjenda e futbollit brazilian, njëherësh edhe ambasador i FIFA-s, Gilberto Silva, së bashku zbuluan trofeun e artë të Kupës së Botës FIFA.

Pendarovski falënderoi për nderin që i është bërë Maqedonisë së Veriut që të jetë ndër vendet e pakta që do të jenë nikoqire e këtij trofeu.

“Një ditë, së shpejti në të ardhmen, në vend që presidenti ta prekë dhe ta mbajë në duar këtë trofe, kapiteni i kombëtares së Maqedonisë do ta ngrejë lart dhe do ta kemi më vonë si kopje përgjithmonë në ambientet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Unë besoj se kjo nuk është e paarritshme dhe ajo ditë nuk është e largët, siç na duket për momentin”, tha presidenti Pendarovski.

Ambasadori i FIFA-s, Gilberto Silva tha se është kënaqësi të jesh në Maqedoninë e Veriut dhe se beson se vizita e tyre me trofeun e artë do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme për të arritur suksese të mëdha në futboll.

“Kur flasim për Kupën e Botës dhe këtë trofe, ne flasim për ëndrrat, për besimet, flasim për frymëzimin dhe kjo është detyra jonë në futboll. Për të frymëzuar njerëzit, për t’i bërë njerëzit të besojnë se mund të bëjnë më mirë, se mund të jenë më të mirë, jo vetëm në sport por edhe në jetë”, tha ambasadori i FIFA-s, Gilberto Silva.

Presidenti i FFM-së, Muhamed Sejdini tha se gëzohet veçanërisht që kombëtarja e Maqedonisë kishte një përvojë të jashtëzakonshme futbollistike dhe se ishte shumë afër kualifikimit në Kampionatin Botëror në Katar.

“Momentet e euforisë futbollistike të vendit tonë do t’i kujtojmë për gjithë jetën. Le të jetë kjo vetëm një nxitje për të siguruar një vend në Kupën e Botës dhe për të luftuar realisht për këtë trofe”, tha presidenti i FFM-së, Sejdini.

Ambasadori i FIFA-s, Silva i dorëzoi presidentit Pendarovski një kopje simbolike të trofeut të Kupës së Botës FIFA.

Për herë të parë në historinë e futbollit maqedonas, Maqedonia e Veriut është pjesë e turneut të pestë të trofeut të Kupës së Botës FIFA, organizuar nga Coca-Cola.

Kampionati Botëror në Katar është planifikuar të nisë më 21 nëntor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor të këtij viti.

Kategoritë
LajmeRajoni