Trump administrata miratoi “Politikën e një flamuri”: Ndalohet shfaqja e flamujve LGBT në ambasada

Administrata e presidentit Donald Trump mori një vendim që përcakton se në objektet diplomatike amerikane, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, lejohet të shfaqet vetëm flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Politika e re, e quajtur “Politika e një flamuri”, hyri zyrtarisht në fuqi të hënën.

Sipas këtij vendimi, ndalohet shfaqja e flamujve të lidhur me komunitetin LGBT ose lëvizjen “Black Lives Matter”, një praktikë kjo që ishte ndjekur gjatë administratës së presidentit Joe Biden. Memorandumi thekson se “flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkon të gjithë amerikanët nën parimet universale të drejtësisë, lirisë dhe demokracisë”.

“Me hyrjen në fuqi të menjëhershme, lejohet vetëm shfaqja e flamurit të SHBA-së në të gjitha objektet amerikane, qoftë brenda vendit apo jashtë tij, si dhe në materialet zyrtare të qeverisë amerikane. Vlerat që simbolizon flamuri i SHBA-së ndahen nga të gjithë qytetarët amerikanë, të kaluar dhe të tashëm”, thuhet në memorandum.

Për punonjësit e Departamentit të Shtetit që shkelin këtë politikë, janë parashikuar masa disiplinore, përfshirë largimin nga puna, ndërprerjen e kontratës ose transferimin. Përjashtim bëjnë vetëm dy flamuj: simboli i të burgosurve dhe të zhdukurve gjatë luftës (POW/MIA) dhe flamuri për personat e burgosur padrejtësisht.

Vendimi u mor nga Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio, vetëm disa orë pasi u konfirmua në këtë pozicion me mbështetje unanime në Senat. Rubio, me këtë veprim, nisi procesin e reformimit të politikës së jashtme amerikane në përputhje me premtimet e Donald Trump-it, përfshirë eliminimin e të ashtuquajturës “kulturë woke” nga qeveria amerikane.

“Me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit, Departamenti i Shtetit do të udhëheqë një politikë të jashtme të përqendruar te parimi ‘Amerika e Para'”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Kujtojmë se administrata e Joe Biden-it lejonte shfaqjen e flamujve Pride dhe BLM në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga ligjvënësit republikanë. Gjatë presidencës së Biden-it, ambasadat amerikane në Bahamas dhe Brazil, ndër të tjera, ngritën këta flamuj si një shenjë mbështetjeje për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ dhe për të përkujtuar trashëgiminë historike të komunitetit zezak.

Trump, gjatë mandatit të tij të parë, refuzoi kërkesat për shfaqjen e flamurit Pride në objektet diplomatike amerikane, ndërsa ish-sekretari i Shtetit Antony Blinken, në vitin 2021, ndryshoi këtë vendim, duke lejuar diplomatët të ngrinin këtë flamur.

Kategoritë
BotaLajme