Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur për situatën në Rripin e Gazës, duke thënë se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë një numër më të madh refugjatësh nga kjo enklavë palestineze.
Trump më parë e ka propozuar këtë zgjidhje për një numër të madh refugjatësh nga Gaza, duke biseduar drejtpërdrejt me mbretin e Jordanisë, Abdullahun.
“I thashë atij se duhet të pranojë një numër më të madh njerëzish, sepse situata atje poshtë është katastrofike. Do të doja që të pranonte më shumë refugjatë,” tha Trump.
Këtë e përsëriti edhe gjatë një deklarate për gazetarët pasi doli nga avioni presidencial, duke shtuar se të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Egjipti.
“Atje poshtë gjithçka është e shkatërruar dhe njerëzit po vdesin. Më mirë do të preferoja të bashkëpunonim me kombet arabe, të ndërtojmë vendbanime dhe që ata njerëz të jetojnë, për një herë të parë, në paqe,” tha presidenti amerikan.
Kur u pyet nëse kjo është një zgjidhje e përkohshme apo e përhershme, Trump tha se “mund të jetë të dyja.”
Në Gaza, para 7 tetorit 2023, kur filloi përshkallëzimi i ri i konfliktit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, jetonin 2.3 milionë njerëz. Mendohet se 1.5 milionë prej tyre janë zhvendosur brenda vendit.
Armëpushimi, pas një viti e gjysmë lufte, hyri në fuqi më 19 janar, megjithëse nuk është zgjidhur çështja e kthimit të banorëve të Gazës në shtëpitë e tyre, veçanërisht në veri të kësaj zone.