Trump dhe Macron bien dakord për ndarjen e kostove për sigurimin e paqes në Ukrainë

“Evropa duhet të marrë atë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës”, tha presidenti amerikan pas takimit me homologun francez

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, ranë dakord sot se kostot e sigurimit të paqes në Ukrainë duhet të ndahen reciprokisht nga SHBA-ja dhe Evropa, raporton Anadolu.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pasi ai u takua me Macronin prapa dyerve të mbyllura për më shumë se një orë, Trump tha se është i kënaqur që presidenti francez pajtohet me të “për shumë nga çështjet më të rëndësishme”, duke përfshirë faktin se është “koha e duhur” për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Jam po ashtu i kënaqur që presidenti Macron pajtohet se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes në Ukrainë duhet të përballohen nga vendet e Evropës, jo vetëm nga SHBA-ja. Evropa duhet të marrë atë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës, gjë që ata duan të bëjnë, dhe ky nuk është një hap shumë i madh”, tha ai.

“Kemi shpenzuar mbi 300 miliardë dollarë për luftën në Ukrainë. Evropa ka shpenzuar 100 miliardë dollarë. Ne meritojmë t’i kthejmë ato”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan sinjalizoi gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nëpërmjet armëpushimit ose marrëveshjes “direkte” të paqes.

“Hapi i madh është ajo që do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme”, shtoi ai, me gjasë duke iu referuar bisedimeve të paqes në vazhdim.

Ndërkaq, Macron pranoi se Evropa duhet të bëjë më shumë “për sigurinë në Evropë, për mbrojtjen në Evropë dhe për të ndarë në mënyrë më të drejtë barrën e sigurisë që vendi juaj ka mbajtur për kaq shumë vite”.

“Evropa e e ka shumë të qartë këtë. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë si evropianë, duke pasur parasysh kërcënimet që na rrethojnë dhe përgjegjësitë që duhet të mbajmë mbi supe”, shtoi ai.

Ai, megjithatë, tha se paqja në Ukrainë nuk duhet të nënkuptojë dorëzimin e vendit. “Armëpushimi nuk mund të arrihet pa garanci (sigurie)”, deklaroi president francez.

Kategoritë
BotaLajme