Në fillim të kësaj jave, Trump propozoi anulimin e armëpushimit të Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, nëse të gjitha pengjet në Rripin e Gazës së rrethuar nuk lirohen deri sot në ora 12:00
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja do të mbështesë vendimin që do të marrë Izraeli pas skadimit të afatit të tij të dhënë ndaj grupit palestinez Hamas për t’i liruar të gjitha pengjet izraelite të mbetura, transmeton Anadolu.
Në platformën ‘Truth Social’, Trump theksoi afatin që caktoi në fillim të kësaj jave për Hamasit për kthimin e të gjitha pengjeve izraelite.
“Izraeli tani do të duhet të vendosë se çfarë do të bëjë në lidhje me afatin e vendosur në orën 12:00, sot, për lirimin e të gjitha pengjeve. SHBA-ja do të mbështesë vendimin që ata marrin”, shkroi Trump.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pasi Izraeli sot liroi dhjetë të burgosur palestinezë nga Bregu Perëndimor i pushtuar si pjesë e grupit të gjashtë të fazës së parë të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve të lidhur në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit me Haamasin.
Lidhur me lirimin e tre pengjeve izraelite sot më herët nga Hamasi, duke përfshirë një shtetas amerikan, Trump tha se, “Ata duket se janë në gjendje të mirë. Kjo ndryshon nga deklarata e tyre javën e kaluar se ata nuk do të lirojnë asnjë peng”.
Në fillim të kësaj jave, Trump propozoi anulimin e armëpushimit të Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, nëse të gjitha pengjet në Rripin e Gazës së rrethuar nuk lirohen deri sot në ora 12:00.
“Për sa më përket mua, nëse të gjitha pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12, mendoj se është koha e përshtatshme, do të thosha, anuloni dhe të gjitha bastet do të hiqen dhe lëreni të shpërthejë ferri. Unë do të thosha se ata duhet të kthehen deri në orën 12 të së shtunës”, shkroi Trump të hënën e kaluar.
Marrëveshja e armëpushimit të Gazës ka qenë në fuqi që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 48 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Më herët, Hamasi tha se do të vonojë lirimin e gjashtë të pengjeve të caktuar për sot për shkak të shkeljeve izraelite të marrëveshjes, por pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti marrëveshja filloi të zbatohet këtë fundjavë siç është rënë dakord më herët.