Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të preferonin të nënshkruanin një marrëveshje me Iranin për ta bërë atë një vend pa armë bërthamore, në vend që të sulmonin Republikën Islamike.
Administrata e re amerikane, që nga dita e parë, ka paralajmëruar krijimin e një regjimi më të fortë të kontrollit të programit bërthamor të Iranit.
Donald Trump e ka shpjeguar këtë politikë në një intervistë të fundit për New York Post, duke theksuar se do të preferonte arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin në vend të një ndërhyrjeje ushtarake.
“Do të doja të arrihej një marrëveshje me Iranin për kontrollin e armëve bërthamore. Do ta preferoja këtë më shumë sesa t’i bombardojmë,” deklaroi Trump.
Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi, tha pas deklaratave të javës së kaluar të Trumpit se shqetësimet rreth zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani mund të zgjidhen, pasi vendi i tij kundërshton armët për shkatërrim në masë.
“Ata (Irani) nuk duan të vdesin. Askush nuk dëshiron të vdesë,” përfundoi Trump.
Në një deklaratë të fundit për publikun, Trump shtoi se beson që Irani mund të bëhet një shtet i madh dhe i suksesshëm, por pa armë bërthamore.