Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se pret të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në të ardhmen, ndoshta në Arabinë Saudite, pasi të dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike.
Trump e përshkroi bisedën me Putinin si të mirë dhe zbuloi se ajo zgjati më shumë se një orë. Ai gjithashtu theksoi se nuk e konsideron praktike që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s.
“Ukraina duhet të gjejë një mënyrë për të arritur paqen”, tha Trump, duke shtuar se Putin ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës dhe për të mos vazhduar luftimet pas gjashtë muajsh nga një armëpushim i mundshëm.
Sipas Trumpit, në takimin me Putinin do të marrë pjesë edhe princi i kurorës së Arabisë Saudite. Ai gjithashtu njoftoi se Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, do të udhëtojë në Ukrainë për të siguruar kthimin e fondeve amerikane.
A po afrohet fundi i luftës?
Trump konfirmoi se me Putinin ka rënë dakord për fillimin e menjëhershëm të negociatave për armëpushimin në Ukrainë.
Kujtojmë se Trump më herët kishte deklaruar se negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë do të fillonin menjëherë pas bisedës së tij me Putinin. Kjo bisedë, e para mes dy liderëve që nga marrja e detyrës nga Trump, u zhvillua një ditë pasi Rusia liroi një shtetas amerikan të burgosur në Rusi.
Trump theksoi se ata diskutuan për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë dhe çështje të tjera globale, duke paralajmëruar një bashkëpunim të ngushtë me Moskën në të ardhmen.