Trump: Do të vendosim tarifat ndaj BE-së shumë shpejt, pothuajse të gjitha vendet na kanë plaçkitur

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se shumë shpejt do të vendosë tarifa për mallrat që importohen nga Bashkimi Evropian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ata me të vërtetë kanë përfituar nga SHBA. Ata nuk pranojnë makinat tona, nuk pranojnë produktet tona bujqësore. Nuk pranojnë pothuajse asgjë, ndërsa ne marrim gjithçka prej tyre, miliona makina dhe sasi të mëdha ushqimesh dhe produktesh bujqësore,” tha ai.

Kur u pyet nga BBC nëse ekziston një afat kohor për vendosjen e tarifave ndaj BE-së, Trump u përgjigj: “Nuk do të thoja se ka një afat kohor, por do të jetë shumë shpejt. Shtetet e Bashkuara janë plaçkitur nga pothuajse të gjitha vendet e botës. Ne kemi deficite me pothuajse çdo vend, jo me të gjitha – por pothuajse, dhe ne do ta ndryshojmë këtë. Ka qenë e padrejtë.”

Opsione të shumta në tryezë

Së fundmi ka ardhur një përgjigje nga Bashkimi Evropian për kërcënimet e Trumpit: “Nëse ai i realizon kërcënimet e tij, do të përgjigjemi vendosmërisht.”

Trump deklaroi gjithashtu se as tregtia e Mbretërisë së Bashkuar nuk është në përputhje me interesat e SHBA-së, por se situata “mund të rregullohet”.

Kur u pyet nga BBC nëse do të vendoste tarifa ndaj Mbretërisë së Bashkuar, ai tha: “Do të shohim. Çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë.”

Tarifa të reja kundër vendeve të tjera

Gjatë fundjavës së kaluar, SHBA vendosi tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës. Nuk kaloi shumë kohë dhe Kanadaja u kundërpërgjigj me të njëjtën masë, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj që të blejnë vetëm produkte vendase dhe të shmangin ato amerikane.

Pas rritjes së tarifave

Kryeministri kanadez Justin Trudeau u bëri thirrje kanadezëve që të blejnë produkte vendase.

Pas kësaj, Trump deklaroi se do të rrisë më tej tarifat ndaj Kanadasë nëse ata kundërpërgjigjen, duke akuzuar fqinjët se kanë “abuzuar rëndë” me Shtetet e Bashkuara për shumë vite.

“Unë e dua popullin e Kanadasë. Nuk pajtohem me udhëheqjen e tyre. Atje do të ndodhë diçka. Por, nëse duan të luajnë lojë, nuk kam asnjë problem. Mund të luajmë lojën për sa kohë të duan,” tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se tarifat gjithëpërfshirëse që janë vendosur ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës mund të shkaktojnë një “dhimbje afatshkurtër” për amerikanët, pasi tregjet globale kanë reflektuar shqetësime se këto masa të reja mund të dëmtojnë rritjen ekonomike dhe të nxisin inflacionin.

Kategoritë
BotaLajme