Trump ia ndërpret Bidenit qasjen në informacionet e klasifikuara: Joe, je i pushuar nga puna

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se i ka anuluar kontrollin e sigurisë dhe qasjen në informacionet sekrete të inteligjencës për pasardhësin e tij, Joe Biden.

“Joe, je i pushuar”, ka shkruar Trump në platformën Truth Social, duke iu referuar sloganit të programit të tij të dikurshëm reality show “The Apprentice”. Biden kishte bërë të njëjtën gjë para katër vitesh ndaj Trumpit.

Ky i fundit e justifikoi këtë vendim duke theksuar se Biden kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2021, duke u bërë presidenti i parë në historinë e SHBA-së që i mohoi pasardhësit informacionet e inteligjencës.

“Biden vendosi këtë precedent kur urdhëroi komunitetin e inteligjencës të ndalonte presidentin e 45-të të SHBA-së (MUA!) që të kishte qasje në detajet e sigurisë kombëtare”, shkroi Trump.

Trump pohoi se “nuk mund t’i besohen informacione të ndjeshme” Bidenit, duke iu referuar hetimit të Ministrisë së Drejtësisë për mënyrën se si ish-presidenti amerikan i ka trajtuar informacionet sekrete. Hetimi përfundoi se nuk kishte bazë për ngritjen e akuzave penale, por theksoi gjithashtu se Biden kishte “memorie të dobët”.

Në raport u përmend se Biden nuk mund të kujtonte ngjarje të rëndësishme të jetës – si vitin kur vdiq djali i tij, Beau ose periudhën kur shërbeu si zëvendëspresident i Barack Obamas.

Biden, i cili është tërhequr nga jeta publike, nuk reagoi menjëherë ndaj vendimit të Trumpit.

Në vitin 2021, Biden i anuloi Trumpit qasjen në informacionet e inteligjencës, duke thënë se natyra e tij “e paparashikueshme” e bënte të papërshtatshëm një qasje të tillë, veçanërisht para sulmit në Kongresin amerikan më 6 janar, për të cilin demokratët e akuzuan Trumpin se e kishte nxitur.

Kategoritë
BotaLajme