Presidenti amerikan gjatë mandatit të tij të dytë, Donald Trump, ka shkaktuar përsëri polemika duke kontaktuar kryeministren daneze në një përpjekje për të marrë Grenlandën.
Trump zhvilloi një bisedë telefonike 45-minutëshe me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, javën e kaluar, ku u tregua agresiv dhe konfrontues pasi Frederiksen hodhi poshtë idenë e shitjes së Grenlandës.
Pesë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm evropianë, të njohur me bisedën, thanë për Financial Times se qëndrimi i Trumpit ishte një “dush i ftohtë.”
Frederiksen theksoi se Grenlanda, si pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, nuk është në shitje, por shprehu gatishmëri për të zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik. Sipas raportimeve, Trump madje kërcënoi Danimarkën me vendosjen e tarifave të synuara.
Një burim e përshkroi bisedën si “të tmerrshme,” ndërsa një tjetër shtoi: “Vendosmëria e Trumpit është frikësuese. Kjo është potencialisht shumë e rrezikshme.”
Rëndësia gjeopolitike e Grenlandës
Grenlanda, një ishull me vetëm 57 mijë banorë, ka një rëndësi strategjike për shkak të rrugëve të reja detare që po hapen në Arktik dhe pasurisë së saj në minerale. Presidenti amerikan argumenton se siguria e Grenlandës është me rëndësi jetike për Shtetet e Bashkuara, veçanërisht duke marrë parasysh aktivitetet në rritje të Rusisë dhe Kinës në atë rajon.
Frederiksen deklaroi se Danimarka e kupton interesin e SHBA-së për Grenlandën, por e bëri të qartë se territori nuk është në shitje.
Trump më herët këtë vit kërcënoi Danimarkën me vendosjen e tarifave doganore nëse ajo vazhdon të refuzojë planet e tij, madje as ndërhyrja ushtarake nuk është përjashtuar.
“Grenlanda na nevojitet për sigurinë kombëtare,” tha Trump në një konferencë për shtyp, duke shtuar: “Anijet kineze dhe ruse janë gjithandej. Nuk do ta lejojmë këtë.”
Ngjarjet kanë shkaktuar shqetësim në Danimarkë. Kryeministrja Frederiksen u takua me përfaqësues të kompanive kryesore daneze për të diskutuar pasojat ekonomike të kërcënimeve të Trumpit. Ndërkohë, kryeministri i Grenlandës, Múte Egede, përsëriti se qytetarët e ishullit duan pavarësi dhe jo dominimin e ndonjë fuqie të huaj.