Trump lavdëroi Melonin pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ajo deklaroi: “Duam ta bëjmë Perëndimin të madh”

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilluan një takim në Shtëpinë e Bardhë, që ishte gjithashtu takimi i parë mes zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së pas vendosjes së tarifave.

Pas takimit, Trump dhe Meloni iu përgjigjën pyetjeve në një konferencë për shtyp, ku presidenti amerikan e mbushi me lavde Melonin.

“Të gjithë e duan dhe e respektojnë. Ajo është mikesha jonë dhe kemi marrëdhënie shumë të mira mes SHBA-së dhe Italisë. Diskutuam për tregtinë dhe çështje të tjera. Ajo është vërtet një person i veçantë,” tha Trump.

Pas kësaj, Meloni iu drejtua mediave dhe tha se Italia, së bashku me Amerikën, po lufton kundër “kulturës woke” dhe migrimeve të paligjshme.

“Kjo është me të vërtetë një mundësi që do të forcojë miqësinë tonë. Ndajmë një betejë të përbashkët dhe shumë çështje që lidhen me migrimin, luftën kundër drogave sintetike. Diskutuam për mbrojtjen, hapësirën, energjinë, tregtinë. Italia do të rrisë importin e LNG-së dhe mendoj se mund të bashkëpunojmë edhe në kontekstin e energjisë bërthamore,” tha Meloni.

Më pas ajo u ndal te Perëndimi dhe, siç theksoi, mbrojtja e vlerave të përbashkëta.

“E di që kur flas për Perëndimin, nuk flas për një hapësirë gjeografike, por për një qytetërim dhe dua ta bëj më të fortë. Edhe pse kemi disa probleme mes brigjeve tona të Atlantikut, dua të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Dua ta falënderoj Trumpin për pranimin e ftesës për të vizituar Italinë. Qëllimi im është ta bëjmë Perëndimin sërish të madh,” deklaroi kryeministrja italiane.

Kategoritë
BotaLajme