Trump: Më është thënë se Rusia e goditi gabimisht qendrën e Sumit, por mendoj se është e tmerrshme

Dy raketa balistike ruse goditën dje qendrën e qytetit verior ukrainas Sumi, duke shkaktuar sulmin më vdekjeprurës në Ukrainë për këtë vit, me të paktën 34 persona të vrarë dhe 117 të plagosur.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi ndaj sulmit:

“Mendoj se është e tmerrshme. Më është thënë se kanë bërë një gabim. Por mendoj se është e frikshme. I gjithë ky luftë është diçka e tmerrshme. Mendoj se vetë fillimi i saj ishte një abuzim me pushtetin. Shtetet e Bashkuara nuk do ta kishin lejuar të niste kjo luftë nëse unë do të isha president. Kjo luftë është një turp,” deklaroi Trump.

Kur u pyet të sqarojë se çfarë kishte parasysh me “gabimin”, Trump u përgjigj: “K kanë gabuar… duhet t’i pyesni ata,” pa treguar saktësisht se për kë e kishte fjalën dhe për çfarë lloj gabimi bëhej fjalë, raporton The Kyiv Independent.

“Kjo është lufta e Bidenit. Jo e imja. Unë vetëm po përpiqem ta ndaloj këtë luftë për të shpëtuar shumë jetë,” shtoi ai.

Sumi, me rreth një çerek milioni banorë, ndodhet vetëm 25 kilometra nga kufiri me Rusinë. Qyteti është kthyer në një bazë ushtarake pasi forcat ukrainase kishin ndërmarrë një inkursion nga aty në territorin rus në gushtin e kaluar, inkursion që më pas u zmbraps në masë të madhe. Kryetari i bashkisë së Sumit, Artem Kobzar, shpalli tri ditë zie për viktimat duke filluar nga sot.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klimenko, tha se njerëzit që u goditën nga raketat ndodheshin në rrugë, në makina, në transport publik apo në ndërtesa.

Andrij Kovalenko, zyrtar i sigurisë që drejton Qendrën ukrainase për Luftën kundër Dezinformimit, tha se sulmi ndodhi pas vizitës së të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Rusi, ku u takua me zyrtarë të lartë, përfshirë edhe presidentin Vladimir Putin.

“Rusia po ndërton gjithë këtë të ashtuquajtur diplomaci mbi sulmet ndaj civilëve,” shkroi Kovalenko në Telegram.

Pas sulmit të së dielës në Sumi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për një reagim të ashpër nga SHBA dhe Europa ndaj asaj që ai e quajti “terrorizëm rus”.

“Rusia dëshiron pikërisht këtë lloj terrori dhe po e zgjat këtë luftë. Pa presion ndaj agresorit, paqja nuk është e mundur. Negociatat nuk i kanë ndalur kurrë raketat balistike dhe bombat ajrore,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale./Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme