Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka sugjeruar se është në favor të lejimit të TikTok-ut të vazhdojë operimin në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të shkurtër kohe.
Gjatë një fjalimi para mbështetësve konservatorë në Phoenix, Arizona, Trumpi tha se platforma ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë fushatës së tij presidenciale, duke gjeneruar miliarda shikime.
Komentet e Trumpit sipas Reuters, përfaqësojnë një sinjal të fortë se ai kundërshton daljen e mundshme të TikTok-ut nga tregu amerikan, pavarësisht ligjit të miratuar nga Senati në prill që kërkon nga kompania mëmë kineze, ByteDance, të heqë dorë nga aplikacioni për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Gjykata Supreme e SHBA-së ka pranuar të shqyrtojë një sfidë ligjore nga TikTok për të rrëzuar këtë ligj.
Megjithatë, nëse gjykata nuk vendos në favor të ByteDance dhe nuk ndodh ndarja e pronësisë, aplikacioni mund të ndalohet në SHBA më 19 janar, një ditë para inaugurimit të Trumpit.