Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv me të cilin zgjeron kompetencat e Shtëpisë së Bardhë mbi agjencitë rregullatore që janë themeluar nga Kongresi si institucione të pavarura.
Me këtë veprim, Trump vazhdon përpjekjet për të centralizuar pushtetin presidencial mbi administratën shtetërore dhe për t’u bërë presidenti më i fuqishëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Urdhri kërkon nga agjencitë e pavarura që t’i dorëzojnë Shtëpisë së Bardhë propozimet për rregullore për shqyrtim, ndërsa presidentit i jepet e drejta të bllokojë shpenzimin e fondeve për projektet që nuk përputhen me prioritetet e tij. Gjithashtu, agjencive u kërkohet të pranojnë interpretimin e ligjeve të ofruara nga presidenti dhe Departamenti i Drejtësisë si të detyrueshme.
“Ky është një goditje e rëndësishme për agjencitë e pavarura, modeli i të cilave është përdorur nga Kongresi që nga vitet 1880,” tha Peter M. Shane, ekspert ligjor nga Universiteti i Nju Jorkut.
Urdhri i Trumpit vjen pasi ai tashmë ka shkarkuar disa drejtues të agjencive të pavarura, edhe pse ligjet kufizonin mundësinë e shkarkimit të tyre pa arsye të vlefshme para përfundimit të mandatit. Ndër institucionet e prekura janë Komisioni për Letrat me Vlerë (SEC), Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) dhe Bordi Kombëtar për Marrëdhëniet e Punës (NLRB).
Edhe Rezerva Federale është pjesërisht e përfshirë në këtë urdhër, megjithatë vendimet mbi politikat monetare, si ndryshimi i normave të interesit, janë përjashtuar nga ky urdhër.
Ky urdhër ndërtohet mbi masat e mëparshme për forcimin e kontrollit presidencial, duke përfshirë edhe iniciativën e Ronald Reaganit në vitin 1981, e cila kërkonte që propozimet për rregullore t’i nënshtroheshin shqyrtimit të Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, urdhri i Reaganit nuk përfshinte agjencitë e pavarura.
Administrata e Trumpit mbështet heqjen e kufizimeve ligjore që e pengojnë presidentin të shkarkojë anëtarët e këtyre agjencive para përfundimit të mandatit të tyre. Kritikët paralajmërojnë se ky veprim mund të rrezikojë ekuilibrin institucional dhe të dobësojë mbikëqyrjen mbi pushtetin ekzekutiv.
Pritet që ky urdhër të shkaktojë sfida ligjore dhe të përfundojë edhe në Gjykatën e Lartë.