Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon personat transgjinorë të garojnë në kategoritë e sporteve për gra, një vendim që është cilësuar nga kritikët si “sulm ndaj të drejtave të njeriut.”
Urdhri vendos rregulla më të rrepta në lidhje me sportet dhe politikat gjinore, duke udhëzuar agjencitë federale, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, të interpretojnë rregullat federale si ndalim të pjesëmarrjes së vajzave dhe grave transgjinore në çdo kategori sportive për gra.
Ky urdhër ka marrë emrin zyrtar “Përjashtimi i burrave nga sportet e grave.”
Urdhri ekzekutiv, i cili hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, udhëzon prokurorët shtetërorë të identifikojnë praktikat më të mira për zbatimin e tij.
“Me këtë urdhër ekzekutiv, lufta kundër sporteve të grave ka marrë fund,” deklaroi Trump të mërkurën.
Kujtojmë se Trump ka nënshkruar disa urdhra ekzekutivë që lidhen drejtpërdrejt me personat transgjinorë. Përveç ndalimit të pjesëmarrjes në sportet e grave, ai ka vendosur që “SHBA njeh ekzistencën e vetëm dy gjinive” dhe ka ndaluar ndryshimin e gjinisë për personat nën moshën 19 vjeç.