Trump nisi luftën e tij të parë: Dha urdhër për sulm ndaj Jemenit

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) ka njoftuar se janë kryer sulme ajrore në të gjithë Jemenin kundër depove të armëve dhe pajisjeve ushtarake të Huthëve, të cilat sipas SHBA-së, përbëjnë një kërcënim për lundrimin në Detin e Kuq.

Aeroplanët nga aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman, e klasës “Nimitz”, përdorën bomba ajrore dhe bomba të drejtuara AGM-154 JSOW për të goditur stacionet e radarëve, depot e raketave dhe qendrat komanduese të Huthëve në Jemen.

Kryeqyteti Sana është goditur nga këto sulme, ndërsa mediat rajonale raportojnë se mbi qytet shihet një re e madhe tymi të zi.

Trump: Huthët duhet të ndalojnë sulmet, mbështetja iraniane duhet të përfundojë menjëherë

Këto sulme ajrore ishin paralajmëruar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se aktivitetet e Huthëve u kanë kushtuar miliarda dollarë popullit amerikan për shkak të bllokadave detare që ata kanë vendosur.

“Huthë, koha juaj ka mbaruar, sulmet tuaja duhet të ndalojnë që sot. Mesazhi për Iranin – Mbështetja për Huthët duhet të ndalojë menjëherë. Mos i kërcënoni qytetarët amerikanë, presidentin apo rrugët detare botërore,” tha Trump.

Kategoritë
BotaLajme