Trump njofton se do të takohet me Zelenskyyn në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen e mineraleve

“Unë do të takohem me presidentin Zelenskyy. Ai në fakt mund të vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen”, tha presidenti amerikan.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vijë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë ose në javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshje për mineralet e çmuara, raporton Anadolu.

Ndërsa Trump priti presidentin francez Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë, dy liderët u prononcuan para përfaqësuesve të shtypit në Zyrën Ovale.

Trump vuri në dukje se bisedimet po vazhdojnë si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën, për t’i dhënë fund Luftës Rusi-Ukrainë dhe se kanë arritur një përfundim mbi një marrëveshje për metalet e çmuara me administratën e Kievit.

“Unë do të takohem me presidentin Zelenskyy. Ai në fakt mund të vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen. Do të doja ta takoja në Zyrën Ovale, kjo do të ishte mirë. Marrëveshja po punohet tani. Jemi shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Trump, duke shtuar se marrëveshja do të japë një kontribut të rëndësishëm si për ekonominë e SHBA-së, ashtu edhe atë të Ukrainës.

Trump më tej deklaroi se bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin po ecin mirë. “Ne kemi pasur bisedime shumë të mira me Rusinë. Po përpiqemi t’i japim fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë në një periudhë të shkurtër prej disa javësh”, shtoi ai.

“Ne po i afrohemi një marrëveshjeje për të cilën po punohet. Po i afrohemi shumë pranë një marrëveshjeje ku ne i kthejmë paratë tona për një periudhë kohore”, tha po ashtu Trump.

Duke theksuar se SHBA-ja e ka ndihmuar Ukrainën “më shumë se kushdo tjetër më parë”, Trump tha: “Nëse nuk do të isha president, Ukraina do të ishte ende në një situatë ku as që mund të mendonte për paqen”.

Ai tha se kanë marrëdhënie shumë të mira me Francën, duke shtuar se do të bëjnë shumë marrëveshje tregtare me këtë vend.

Kategoritë
BotaLajme