Trump po përgatit një dhuratë për Moskën: SHBA-ja është e gatshme të njohë një pjesë të rëndësishme të Ukrainës si ruse

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është e gatshme të njohë kontrollin rus mbi Krimenë si pjesë të një propozimi për përfundimin e luftës në Ukrainë, ka deklaruar një zyrtar i mirëinformuar.

Propozimi gjithashtu përfshin vendosjen e një armëpushimi përgjatë vijave aktuale të frontit, ka shtuar zyrtari, duke theksuar se ky plan u është paraqitur përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas që u takuan të enjten në Paris.

Korniza paqësore është përmendur gjithashtu në një bisedë telefonike ndërmjet Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov, raporton The Daily News.

“Ende ka pjesë të kësaj kornize që duhet të plotësohen. SHBA planifikon të punojë me Evropën dhe Ukrainën për këtë javën e ardhshme në Londër”, ka thënë burimi.

Njëkohësisht, administrata e Trump-it planifikon një takim tjetër ndërmjet të dërguarit të presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe diplomatëve rusë për të përfshirë Moskën në të gjithë kornizën amerikane.

Forcat ruse morën kontrollin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014, dhe Moska e aneksoi atë territor në një veprim që shumica dërrmuese e bashkësisë ndërkombëtare e konsideron të paligjshëm. Ky veprim paralajmëroi pushtimin e plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Kategoritë
BotaLajme