“Dëshiroj shumë që t’i kthej ata. Mendoj se largimi i tyre ishte një gabim. Çështja nuk është ta duam apo jo Rusinë, bëhej fjalë për G8-tën”, tha Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se Rusia duhet të pranohet përsëri në G7 dhe se ai e dëshiron shumë këtë, transmeton Anadolu.
Trump tha se Rusia duhet të pranohet sërish në G7, e cila përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.
Ai tha se ishte “gabim” që presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama hoqi Rusinë nga G7 pasi Rusia aneksoi Krimenë. “Dëshiroj shumë që t’i kthej ata. Mendoj se largimi i tyre ishte një gabim. Çështja nuk është ta duam apo jo Rusinë, bëhej fjalë për G8-tën”, tha Trump.
Trump mendon se edhe presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të jetë në tryezë. “Me shumë mundësi, nëse G8 do të kishte ekzistuar, ky problem me Ukrainën nuk do të kishte ndodhur dhe nëse unë do të isha president, Rusia nuk do ta kishte sulmuar kurrë Ukrainën”, tha presidenti amerikan.
– Edhe Putini dëshiron paqe
Trump tha se edhe presidenti rus Putin dëshiron të shohë përfundimin e luftës në Ukrainë. “Unë besoj se (Putini) dëshiron paqe. Mendoj se e njoh mirë. Po, mendoj se ai dëshiron paqe. Mendoj se do të më kishte thënë nëse nuk do ta dëshironte”, tha ai.
Në pyetjen nëse i beson apo jo Putinit, Trump tha: “Unë besoj se ai dëshiron të shohë që gjërat të realizohen. Unë i besoj atij në këtë çështje. Mendoj se ai dëshiron që të ndodhë ndonjë gjë”