Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith do të kthehet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një intervistë të fundit në NBC, Trump foli specifikisht për Smith, i cili para një viti ishte emëruar për t’i mbikëqyrur hetimet penale ndaj tij.
“Në historinë e vendit tonë, asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Dhe unë i kam fituar këto raste. Unë i kam fituar të gjitha dhe pjesa tjetër janë në proces të fitimit. I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë ku mund të ekzekutojë njerëz. Këtu duhej të qëndronte. Unë nuk – mendoj se ai është i rrezikshëm edhe atje”, tha presidenti i zgjedhur.
Trump kujtoi akuzat e Smith, ndërsa tha se mbase ai e ka ndihmuar që të fitonte bindshëm në zgjedhjet presidenciale.
I pyetur nëse do të donte hetimin e prokurorit Jack Smith, Donald Trump tha: “Epo, unë mendoj se ai është shumë i korruptuar, por dua që ajo të bëjë çfarëdo që ajo”, duke iu referuar Pam Bond, gruas të cilën ai e ka nominuar për prokurore të përgjithshme.
Insistimit të gazetares se a do të ndikonte te Bond që Smith të ndiqej penalisht, Trump iu përgjigj se nuk do t’i japë udhëzime.
“Ajo është një person shumë i zgjuar. Ajo është – Ajo ishte një prokurore e madhe e përgjithshme në Florida. Ajo është me shumë përvojë. Unë dua që ajo ta bëjë atë që dëshiron ta bëjë. Unë nuk do ta udhëzoj atë ta bëjë këtë, jo”.
Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe të tjerë po mbahen ende në paraburgimin e Gjykatës Speciale. Disa tashmë janë dënuar.