“Ne do ta marrim përsipër atë pjesë. Ne do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të jetë shumë krenare”, tha Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se “SHBA-ja do të marrë përsipër Rripin e Gazës”, menjëherë pasi sugjeroi një zhvendosje të përhershme të palestinezëve jashtë Gazës, raporton Anadolu.
“SHBA-ja do të marrë përsipër Rripin e Gazës dhe ne gjithashtu do të bëjmë një punë me të”, tha Trump.
“Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe të armëve të tjera në vend, do ta rrafshojmë atë dhe do të krijojmë një zhvillim ekonomik që do të sigurojë një numër të pakufizuar të vendeve të punës dhe banesa për njerëzit e zonës”, tha Trump.
I pyetur nëse SHBA-ja do të dërgojë trupa në Rripin e Gazës, ai u përgjigj: “Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë”.
“Ne do ta marrim përsipër atë pjesë. Ne do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të jetë shumë krenare”, tha Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu tha se ai e sheh SHBA-në të ketë “pronësi afatgjate” të Rripit të Gazës.
“Unë shoh një pozicion afatgjatë të pronësisë dhe e shoh që sjell stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme dhe ndoshta në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë. Të gjithë me të cilët kam folur e pëlqejnë idenë që SHBA-ja të zotërojë atë pjesë toke”, tha ai.
“Unë e kam studiuar këtë nga afër për shumë muaj, e kam parë nga çdo këndvështrim i ndryshëm dhe është një vend shumë, shumë i rrezikshëm për të qenë dhe vetëm do të përkeqësohet. Dhe unë mendoj se kjo është një ide që është bërë e jashtëzakonshme, po flas për të nga niveli më i lartë i udhëheqjes, ka marrë lëvdata të jashtëzakonshme. Dhe nëse SHBA-ja mund të ndihmojë për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
I pyetur nëse kjo do të thotë se ai nuk mbështet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, Trump tha: “Nuk do të thotë diçka për dy shtete ose një shtet apo ndonjë shtet tjetër. Do të thotë se ne duam t’u japim njerëzve një mundësi për jetë”.
“Ata nuk kanë pasur kurrë një mundësi për jetë, sepse Rripi i Gazës ka qenë një vrimë ferri për njerëzit që jetojnë atje”, shtoi ai.
Në përgjigje të një pyetje se kush do të jetojë në Gaza nëse palestinezët largohen, Trump u përgjigj “njerëzit e botës”.
“Unë mendoj se ju do ta shndërroni atë në një vend ndërkombëtar dhe të pabesueshëm. Mendoj se potenciali në Rripin e Gazës është i pabesueshëm. Mendoj se e gjithë bota do të jetë atje dhe ata do të jetojnë atje. Palestinezët do të jetojnë atje. Shumë njerëz do të jetojnë atje”, tha Trump.
Sipas presidentit amerikan, Rripi i Gazës do të bëhet “Riviera e Lindjes së Mesme”, si dhe theksoi se, “Ne kemi një mundësi për të bërë diçka që mund të jetë fenomenale”.
Netanyahu, nga ana e tij, tha se derisa diskutuan me presidentin Trump “për të siguruar të ardhmen tonë dhe për të sjellë paqe në rajonin tonë, ne duhet ta përfundojmë punën”.
Ai tha se Izraeli duhet të sigurojë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin.
Më herët, gjatë një takimi me Netanyahun në Zyrën Ovale, Trump tha se mendon se Jordania dhe Egjipti do të pranojnë palestinezët nga Gaza, duke afirmuar se enklava është një vend i rrënuar dhe i pabanueshëm.
Propozimi i diskutueshëm i Trumpit është dënuar gjerësisht, me shumë që e quajtën atë “spastrim etnik” dhe “krim lufte”.
Jordania dhe Egjipti, së bashku me vende të tjera rajonale dhe evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, kundërshtuan fuqishëm propozimin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve.