Trump takohet me teoricienen famëkeqe të konspiracionit dhe shkarkon gjashtë zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë: Kush është ajo?

Së paku gjashtë zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë (NSC) janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen, në atë që konsiderohet si “pastrimi” i parë në mandatin e dytë të presidentit Donald Trump.

Kjo ndodhi një ditë pasi Trump u takua në Zyrën Ovale me teoricienen e së djathtës ekstreme dhe aktivisten Laura Loomer. Gjatë takimit të mërkurën, Loomer e bindi Trumpin që të shkarkojë disa zyrtarë të NSC-së, teksa ekipi i tij përballej me pyetje përse kishin përdorur aplikacionin e koduar “Signal” për të diskutuar mbi një operacion ushtarak në Jemen – madje edhe për faktin se një gazetar ishte shtuar gabimisht në një bisedë grupi.

Trump veproi sipas këshillës së saj. Kjo ishte një tjetër tregues i ndikimit në rritje të Loomer, pavarësisht kritikave për përhapjen e teorive të konspiracionit mbi 11 Shtatorin dhe qëndrimeve të saj të hapura kundër imigrantëve dhe myslimanëve.

Loomer, shumë aktive në rrjete sociale, shpesh sulmon aleatë dhe këshilltarë të Trumpit, duke pretenduar se ekziston një “krizë verifikimi” brenda stafit të tij dhe se disa po përpiqen të sabotojnë agjendën e presidentit.

Trump e ka lavdëruar për vite me radhë, megjithëse ka tentuar ndonjëherë të distancohet nga komentet e saj më kontroverse.

Si iu afrua Loomer Trumpit?

E lindur në vitin 1993, Loomer është përfshirë në politikë si mbështetëse e zjarrtë e Trumpit. Ajo ka kandiduar dy herë pa sukses për Kongresin në Florida (2020 dhe 2022), dhe është bërë e njohur për protesta të inskenuara – përfshirë lidhjen me pranga te selia e Twitterit pasi llogaria e saj u ndalua, si dhe kalimin e gardhit përpara shtëpisë së Nancy Pelosit.

Ajo thotë se u ftua në Mar-a-Lago pas fushatës së saj kundër guvernatorit të Floridës Ron DeSantis, i cili përgatitej ta sfidonte Trumpin në garën presidenciale të vitit 2024.

Vitin e kaluar, Loomer e shoqëroi Trumpin në udhëtimet për përvjetorin e 11 Shtatorit në New York dhe Pennsylvania, dhe u pa duke dalë nga avioni i tij kur ai mbërriti në Filadelfia për debatin me Kamala Harris. Ajo pretendon se ishte e ftuar.

Sipas saj, kurrë nuk ka qenë pjesë zyrtare e fushatës, pasi aleatët e Trumpit mendonin se ai duhet të ruante distancën.

Çfarë e bën Loomer figurë me ndikim?

Loomer është ndaluar në disa rrjete sociale, përfshirë Facebook. Gjatë fushatës së kaluar presidenciale, ajo shkroi se nëse Harris fiton ndaj Trumpit, “Shtëpia e Bardhë do të nuhasë si curry, dhe fjalimet do transmetohen nga një qendër thirrjesh”, një referencë raciste ndaj prejardhjes së saj afrikano-amerikane dhe aziatike.

Në dhjetor, ajo u përplas publikisht me Elon Muskun lidhur me përdorimin e vizave për migrantët e kualifikuar, të cilat ajo i kundërshton si anti-amerikane. Si pasojë, llogaria e saj në platformën X u pezullua përkohësisht.

Kohët e fundit, Trump anuloi mbrojtjen e Shërbimit Sekret për fëmijët e rritur të Joe Bidenit, pasi Loomer publikoi foto të Hunter Bidenit me rojen e tij në Afrikën e Jugut.

Për çfarë njihet ajo?

Loomer drejton një podcast të quajtur Loomer Unleashed në platformën Rumble, e njohur për përmbajtje të së djathtës ekstreme. Mbiemri i saj është kthyer në folje në qarqet politike – “me u loom-er” – që nënkupton ekspozimin apo turpërimin publik të një zyrtari.

Ajo shpesh ka postuar përmbajtje anti-myslimane dhe anti-imigruese, si dhe ka sulmuar Kamala Harris me gjuhë raciste dhe seksiste. Një herë publikoi një video duke thënë se “11 Shtatori ishte punë e brendshme!”

Burime anonime i thanë agjencisë AP se Loomer është takuar me Trumpin, zëvendëspresidentin JD Vance, shefen e stafit Susie Wiles, këshilltarin për sigurinë kombëtare Mike Waltz dhe drejtorin e zyrës presidenciale Sergio Gor, duke u paraqitur atyre “rezultatet e hetimit” të saj.

Kur u pyet nga Associated Press, Loomer iu referua një postimi të saj në platformën X ku tha se nuk do të zbulojë detaje të takimit “nga respekti për presidentin”.

“Në vazhdim do të punoj fort për të mbështetur agjendën e tij dhe për të përsëritur rëndësinë e VERIFIKIMIT TË FORTË për të mbrojtur presidentin e SHBA-së dhe sigurinë tonë kombëtare,” shkroi ajo.

Më vonë ajo mori meritën për shkarkimet, duke thënë në X: “E dini si e kuptoni që zyrtarët e NSC-së që unë raportova ishin nelojalë dhe po përpiqeshin të sabotonin Trumpin? Sepse tani po i mbrojnë kritikët e tij në CNN dhe MSNBC.”

Ajo ka qenë kritike ndaj Waltz-it dhe procesit të tij të verifikimit të stafit, duke pretenduar se ai mbështetet tepër te “neokonservatorët” dhe njerëzit jo mjaftueshëm besnikë ndaj lëvizjes MAGA.

Çfarë ka thënë Trump për të?

Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, pasi komentet e Loomer ndaj Harrisit u dënuan gjerësisht, Trump tha: “Laura është mbështetësja ime” dhe se ka “qëndrime të forta”, por mohoi se i njihte postimet e saj. Më vonë, në Truth Social, ai shkroi se nuk i mbështet ato komente.

Të enjten, Trump mohoi se Loomer kishte lidhje me shkarkimet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por e quajti “një patriote shumë e mirë dhe një figurë shumë e fortë”.

“Herë pas here e dëgjoj këshillën e saj, siç bëj me të gjithë. Zakonisht është konstruktive. Ka sugjeruar disa njerëz për poste”, tha Trump.

 

Kategoritë
BotaLajme