“Është koha për të ndalur këtë luftë qesharake”, tha Trump pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas
Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se ka folur me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për luftën Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
“Biseda shkoi shumë mirë. Ai, ashtu si presidenti Putin, dëshiron të arrijë paqe”, shkroi Trump në Truth Social.
Telefonata erdhi pasi Trump zhvilloi një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Trump tha se kanë rënë dakord të ndalojnë vdekjet në luftë dhe që ekipet e tyre të fillojnë menjëherë negociatat.
Trump tha se ai foli me Zelenskyyn për një takim që do të organizohet të premten në Mynih, ku nënpresidenti i SHBA-së JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të udhëheqin bisedimet.
“Unë shpresoj se rezultatet e atij takimi do të jenë pozitive. Është koha për të ndalur këtë luftë qesharake, ku ka pasur vdekje dhe shkatërrime masive dhe krejtësisht të panevojshme. Zoti e bekoftë popullin e Rusisë dhe të Ukrainës!”, ka shkruar Trump.