Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka njoftuar se do të vendosë një taksë prej 25 për qind mbi të gjithë çelikun dhe aluminit që hyn në SHBA, çka do të ketë ndikimin më të madh në Kanadanë.
Përveç kësaj, ai tha se do të shpallë detaje për tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve që vendosin taksa mbi importet nga SHBA, por nuk specifikoi se cilat vende do të jenë në shënjestër dhe nëse do të ketë përjashtime.
“Nëse ata na taksojnë ne, edhe ne i taksojmë ata,” tha Trump.
Kanadaja dhe Meksika janë dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA për çelikun, ndërsa Kanadaja është furnizuesi më i madh i aluminit në SHBA.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump vendosi tarifa prej 25 për qind mbi importin e çelikut dhe 10 për qind mbi importin e aluminit nga Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Evropian.
Megjithatë, një vit më vonë, SHBA arriti një marrëveshje me Kanadanë dhe Meksikën për të hequr këto tarifa, ndonëse taksat e importit nga BE mbetën në fuqi deri në vitin 2021.
“Çdo çelik që hyn në Shtetet e Bashkuara do të ketë një tarifë prej 25 për qind,” deklaroi ai.
Komentet e Trump-it gjithashtu shkaktuan një rënie të aksioneve të prodhuesve të mëdhenj të çelikut dhe makinave në Korenë e Jugut. Koreja e Jugut është një nga eksportuesit kryesorë të çelikut në SHBA.
Aksionet e prodhuesit të makinave Kia Corp ranë gjithashtu me 3,6 për qind gjatë tregtimit të hershëm të mëngjesit.
Më herët këtë muaj, Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa prej 25 për qind mbi produktet kanadeze dhe meksikane, por më pas e shtyu planin për 30 ditë, deri në fillim të marsit, pas bisedimeve me liderët e të dy vendeve.