Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, urdhëroi largimin e tavolinës legjendare Resolute Desk nga Zyra Ovale për restaurim, pasi djali katërvjeçar i Elon Musk-ut fshiu hundën mbi të gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.
I vogli X Æ A-12, djali i miliarderit të njohur, tërhoqi vëmendjen e publikut me sjelljen e tij të llastuar gjatë një konference të përbashkët për shtyp me babanë e tij dhe Trump-in, ku u diskutua mbi punën e Departamentit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE).
Gjatë vizitës, djali ecte i shqetësuar, fliste dhe bënte gjeste, ndërsa në një moment u filmua teksa eksploronte hundën me gisht dhe më pas fshiu gishtin mbi tavolinën e famshme, e cila u përdor për herë të parë në vitin 1961 gjatë presidencës së John F. Kennedy-t.
Trump, i njohur për frikën e tij ndaj baktereve, reagoi menjëherë dhe në një postim në Truth Social të enjten bëri të ditur se tavolina Resolute është zëvendësuar përkohësisht me tavolinën C&O, një nga gjashtë tavolinat e disponueshme për presidentët në Zyrën Ovale.
“Kjo tavolinë, C&O, e cila është gjithashtu shumë e njohur dhe është përdorur nga presidenti George H.W. Bush dhe të tjerë, është instaluar përkohësisht në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Resolute Desk i nënshtrohet një restaurimi të lehtë – një punë shumë e rëndësishme,” shkroi Trump.
Tavolina C&O, e emëruar sipas kompanisë hekurudhore Chesapeake and Ohio Railway, fillimisht u krijua për pronarët e kësaj firme hekurudhore. Ajo u përdor për herë të parë në Zyrën Ovale në vitin 1975 dhe në vitin 1987 u dhurua për Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, tavolina Resolute, e njohur si një nga simbolet më të dallueshme të Zyrës Ovale, është ndërtuar nga druri i anijes kërkimore britanike HMS Resolute dhe iu dhurua presidentit Rutherford B. Hayes nga Mbretëresha Viktoria në vitin 1880. Kjo tavolinë është përdorur nga shumë presidentë amerikanë, përfshirë Jimmy Carter-in, Bill Clinton-in, Barack Obama-n dhe Joe Biden-in.