Trumpi: Po vendosim tarifa prej 25% për makinat, produktet farmaceutike dhe çipat

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se planifikon të vendosë tarifa doganore prej 25% për importin e automjeteve, si dhe tarifa të ngjashme për importin e gjysmëpërçuesve dhe produkteve farmaceutike. Kjo është masa më e fundit në një sërë veprimesh që kërcënojnë të dëmtojnë tregtinë ndërkombëtare.

Trump deklaroi të premten se tarifat për automjetet do të hyjnë në fuqi më 2 prill, një ditë pasi anëtarët e kabinetit të tij pritet t’i dorëzojnë raportet me opsione për një sërë tarifash të reja për importet, ndërsa ai kërkon të riformësojë tregtinë globale.

Trump ka kritikuar prej kohësh atë që ai e quan trajtim të padrejtë të eksportit amerikan të makinave në tregjet ndërkombëtare. Bashkimi Evropian, për shembull, aplikon një tarifë prej 10% për importin e automjeteve, katër herë më e lartë se tarifa prej 2.5% që SHBA-të vendosin për makinat e pasagjerëve. Megjithatë, SHBA aplikon një tarifë prej 25% për kamionët nga vendet e tjera, përveç Meksikës dhe Kanadasë, gjë që i bën këto automjete shumë fitimprurëse për prodhuesit në Detroit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për tregtinë, Maroš Šefčovič, pritet të takohet të mërkurën në Uashington me homologët e tij amerikanë – ministrin e Tregtisë Howard Lutnick, kandidatin e Trumpit për përfaqësues të tregtisë Jamieson Greer dhe drejtorin e Këshillit Kombëtar Ekonomik Kevin Hassett – për të diskutuar mbi tarifat që kërcënon të vendosë Trumpi.

I pyetur nëse BE-ja mund të shmangë tarifat reciproke që ai propozoi javën e kaluar, Trump përsëriti pretendimin e tij se BE-ja ka sinjalizuar gatishmërinë për të ulur tarifat për automjetet amerikane në nivelin amerikan, megjithëse zyrtarët evropianë e kanë mohuar këtë.

Ai theksoi se do të ushtrojë presion mbi zyrtarët evropianë për të rritur importin e makinave dhe produkteve të tjera amerikane.

Gjatë një konference për shtyp në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida, Trump njoftoi gjithashtu se tarifat sektoriale për produktet farmaceutike dhe çipat gjysmëpërçues do të fillojnë nga 25% ose më shumë, me mundësinë që ato të rriten më tej gjatë vitit.

Ai nuk dha një datë të saktë për hyrjen në fuqi të këtyre tarifave dhe shtoi se dëshiron t’u japë kohë kompanive farmaceutike dhe prodhuesve të çipave për të ngritur fabrika në SHBA, në mënyrë që të shmangin tarifat.

Trump gjithashtu tha se pret që disa nga kompanitë më të mëdha në botë të shpallin investime të reja në Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme.

Që nga inaugurimi i tij katër javë më parë, Trump ka vendosur një tarifë prej 10% për të gjithë importet nga Kina, përveç tarifave ekzistuese, si ndëshkim për dështimin e Kinës për të ndaluar tregtinë e fentanilit. Ai gjithashtu shpalli, dhe më pas shtyu për një muaj, tarifa prej 25% për mallrat nga Meksika dhe importet jo-energjetike nga Kanadaja.

Po ashtu, ai ka caktuar datën 12 mars për fillimin e tarifave prej 25% për të gjithë çelikun dhe aluminin e importuar, duke hequr përjashtimet për Kanadanë, Meksikën, Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë tregtarë.

Javën e kaluar, ai i kërkoi ekipit të tij ekonomik të hartojë plane për vendosjen e tarifave reciproke që përputhen me normat doganore të çdo vendi, produkt më produkt.

Kategoritë
BotaLajme