Sipas mediave izraelite, disa komandantë të Trupave Revolucionare Islamike kanë kërkuar nga lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të heqë fetvanë që ndalon armët bërthamore për shkak të kërcënimeve nga Perëndimi.
Gjatë vitit 2005, gjatë miratimit të konventës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), u bë një deklaratë zyrtare për fetvanë të nënshkruar nga Ali Khamenei, e cila deklaronte se mësimet islame ndalojnë armët bërthamore.
Sipas burimeve të mediave izraelite dhe amerikane, disa komandantë të Trupave Revolucionare të Iranit i kanë kërkuar liderit suprem Ali Khamenei të heqë fetvanë që ndalon zhvillimin e armëve bërthamore.
“Lideri ka ndaluar negociatat me amerikanët dhe zhvillimin e armëve bërthamore, që duket si e vetmja mënyrë për mbijetesë, dhe kjo po e çon regjimin drejt kolapsit,” tha një zyrtar anonim.
Zyrtarë të paidentifikuar nga strukturat e Trupave Revolucionare theksojnë se presionet për zhvillimin e armëve bërthamore po rriten çdo ditë.
“Për një kohë të gjatë kemi qenë vetëm disa hapa larg krijimit të një arme bërthamore, por presionet dhe arsyet për ta pasur atë janë më të mëdha se kurrë,” shtoi zyrtari.
Kritikat e zyrtarëve anonimë janë konfirmuar edhe nga këshilltari i liderit suprem, Kamal Kharrazi, në një deklaratë të tij në vitin 2024, duke theksuar se ritmi i zhvillimit të armëve bërthamore do të varet nga niveli i kërcënimeve që i kanosen Iranit.
“Ne nuk kemi marrë një vendim për të ndërtuar një bombë bërthamore, por nëse mbijetesa e Iranit vihet në rrezik, nuk do të kemi zgjedhje tjetër përveçse të ndryshojmë doktrinën tonë ushtarake,” tha Kamal Kharrazi.