Trupat e më shumë se dhjetë punonjësve humanitarë janë gjetur në jug të Gazës, në atë që agjencia e Kombeve të Bashkuara e përshkroi si një “varrezë masive”, një javë pasi u raportuan të zhdukur pas një sulmi të forcave izraelite.
Sipas njoftimit të Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS), tetë nga 14 trupat e gjetura të dielën në një zonë në jug të Rafahut u identifikuan si anëtarë të PRCS-së, pesë si punonjës të mbrojtjes civile dhe një si punonjës i një agjencie të OKB-së.
Një mjek i PRCS ende rezulton i zhdukur.
Trupi i viktimës së 15-të, një punonjës i mbrojtjes civile, u gjet të enjten e kaluar në të njëjtën zonë, pasi PRCS bëri të ditur se fillimisht u ishte refuzuar hyrja në atë vend.
Javën e kaluar, PRCS raportoi se nëntë teknikë të saj të ndihmës së shpejtë ishin zhdukur që nga 23 marsi, pas një incidenti ku forcat izraelite kishin qëlluar mbi autoambulanca dhe automjete të zjarrfikësve në jug të Rafahut.
Si përgjigje ndaj incidentit fillestar, ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar mbi autoambulanca dhe zjarrfikëse sepse, sipas tyre, ato po përdoreshin si mburojë nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez.
Organizatat humanitare dhe Kombet e Bashkuara shprehën zemërim për sulmet, të cilat Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe i quajti “më vdekjeprurëset” ndaj punonjësve të saj në gati një dekadë.
“Ky masakër ndaj ekipit tonë është një tragjedi, jo vetëm për ne në Shoqatën Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe, por edhe për punën humanitare dhe për vetë njerëzimin”, thuhet në deklaratën e PRCS-së, duke e cilësuar “qëllimin ndaj personelit mjekësor si një krim lufte i dënueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Këto sulme ndodhin në kohën kur Izraeli ka rifilluar ofensivën ndaj enklavës dhe ndërsa bllokada totale ndaj ndihmës humanitare po afrohet në një muaj të plotë.