Trupat ukrainase i afrohen Bakhmutit

Forcat ukrainase kanë arritur përparime të mëtejshme në zonën përreth qytetit lindor të kontestuar ashpër të Bakhmutit.

Sipas zëvendësministres ukrainase të Mbrojtjes, Hanna Maliar, ushtria ka kapur më shumë se 10 pozicione armike në veri dhe në jug të rajonit.

“Ushtarët rusë u kapën gjatë operacionit dhe trupat ukrainase vazhduan të avancojnë kundër të gjitha gjasave. Këtu një metër vlen 10 kilometra për sa i përket kompleksitetit të detyrës”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Pavarësisht suksesit të fundit të kievit, situata në Bakhmut mbetet e tensionuar, pasi ushtria ruse po bën rezistencë të ashpër.

 

“Armiku ka mbledhur të gjitha forcat e tij atje dhe po përpiqet të përparojë, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij”, shkroi Maliar.

Ndërkaq për të marrë më shumë mbështetje me armatime dhe financiare, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nisur një tur takimesh në kryeqytetet evropiane.

Ai u takua me liderët gjermanë dhe francezë, zyrtarët italianë dhe Papa Françeskun, gjatë fundjavës dhe mbërriti në Londër për t’u takuar me kryeministrin britanik Rishi Sunak. Nga atje, ai do të udhëtojë në Danimarkë për të folur në Samitin e Demokracisë në Kopenhagë.

Sunak premtoi “qindra” raketa të mbrojtjes ajrore dhe dronë sulmues me rreze të gjatë.

“Ky është një moment vendimtar në rezistencën e Ukrainës ndaj një lufte të tmerrshme agresioni që ata nuk zgjodhën apo provokuan”, tha Sunak.

Më 13 maj, Gjermania njoftoi se do të dërgonte 2.7 miliardë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën, paketa më e madhe e saj e ndihmës që nga pushtimi rus.

Kategoritë
BotaLajme