Shërbimi për media i Vatikanit ka publikuar fotografitë e para të arkivolit ku ndodhet Papa Françesku, trupi i të cilit aktualisht gjendet në kapelën Casa Santa Marta në Vatikan.
Sipas njoftimit të Vatikanit, Papa Françesku është i veshur me petkun liturgjik të kuq dhe në duar mban një rruzare dhe mitrën.
Arkivoli është i thjeshtë, i bërë prej druri, duke respektuar kështu dëshirat e fundit të Papës. Pranë tij gjenden anëtarë të Gardës Zvicerane si dhe kardinali Pietro Parolin.
Për momentin nuk janë publikuar detaje se kur saktësisht do të varroset Papa, por mediat italiane shkruajnë se kjo me shumë gjasë do të ndodhë të shtunën. Nga ana tjetër, konklava, pra procesi i zgjedhjes së Papës së ri, do të fillojë mes datës 5 dhe 10 maj.
Papa kishte shkruar testamentin e tij që në vitin 2022, ku kishte përmendur vendin ku dëshironte të varrosej.
“Duke ndjerë afrimin e perëndimit të jetës sime tokësore, dhe me një shpresë të fortë në jetën e përjetshme, dua të shpreh dëshirat e mia të fundit vetëm në lidhje me vendin e varrimit tim. Gjatë gjithë jetës sime, por edhe gjatë shërbimit tim si prift dhe ipeshkëv, gjithmonë i jam besuar Virgjërës së Bekuar Mari. Për këtë arsye kërkoj që mbetjet e mia mortore të prehen – duke pritur ditën e Ngjalljes – në Bazilikën Papnore të Shën Marisë”, ka shkruar Papa në testament.
Ai gjithashtu theksoi se dëshiron që udhëtimi i tij i fundit tokësor të përfundojë pikërisht në këtë shenjtërore të lashtë mariane, ku gjithmonë ndalej për t’u lutur në fillim dhe në fund të çdo udhëtimi apostolik, duke ia besuar qëllimet e tij Nënës së pamëkatë dhe duke falënderuar për kujdesin e saj të ndjeshëm e amësor.
“Lus që varri im të përgatitet në një vend të thjeshtë, në një ndarje anësore midis Kapelës së Shën Palit (Kapela Salus Populi Romani) dhe Kapelës Sforza të Bazilikës, ashtu siç tregohet në planin e bashkëngjitur. Vendi i varrit të jetë në tokë; i thjeshtë, pa zbukurime të veçanta, vetëm me mbishkrimin: Franciscus. Shpenzimet për përgatitjen e varrimit do të mbulohen nga një shumë që është siguruar nga një bamirës, për të cilën kam bërë marrëveshje që të transferohet në Bazilikën Papnore të Shën Marisë. Kam dhënë udhëzimet e nevojshme në lidhje me këtë kardinalit Rolandas Makrickas, komisionari ekzekutiv i Bazilikës së Libërisë”, theksoi Papa.