Koalicioni AAK-NISMA ka pasur një tubim të madh në Gjakovë, ku kreu i NISMA, Fatmir Limaj ka thënë se Gjakova konfirmon fitoren e vlerave.
Ai ka thënë se koalicioni AAK-NISMA me partnerë tjerë, ka vepra të mëdha në etapa të ndryshme.
“Gjakova konfirmon fitoren e vlerave, për Kosovën fituese, veçVEPRA! Koalicioni ynë ka vepra të mëdha në etapa të ndryshme, ne duam të bëjmë vepra të mëdha anë e këndë Kosovës. Besimi juaj na obligon ta përfundojmë autostradën e Dukagjinit, si dhe ta bëjmë aeroportin e Gjakovës model të suksesit”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se Gjakova ka dhënë një porosi të qartë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sonte, Gjakova dha porosi të qartë se më 9 shkurt do të ndeshkohen ata që kanë ofenduar qytetarin, që kanë nxitur urrejtje e përçarje, ata që për katër vite nuk arritën ta përfundojnë asnjë projekt. Anëtarësimi në NATO, pavarësimi energjetik, ekonomi të zhvilluar, shëndetësi, arsim, janë zotimet tona për mandatin tonë, sepse bashkimi ynë është për Kosovën fituese, veç Vepra”, ka thënë Limaj