Türk Hava Yolları synon të bëhet marka e gjashtë më e vlefshme e kompanive ajrore

Me një vlerë tregu mbi 10 miliardë euro, THY është aktualisht marka e 10-të e kompanive ajrore më të vlefshme në botë

Kryetari i Bordit dhe Komitetit Ekzekutiv të kompanisë ajrore turke, Türk Hava Yolları (THY), Ahmet Bolat, tha se THY synon të bëhet marka e gjashtë më e vlefshme e kompanive ajrore në botë përpara fillimit të vitit 2023.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Bolat tha se me një vlerë tregu mbi 10 miliardë euro, THY është aktualisht marka e 10-të e kompanive ajrore më të vlefshme në botë.

Ai tha se ky sukses është një dëshmi e rritjes dyshifrore të realizuar gjatë gati dy dekadave të fundit, me përjashtim të viteve 2016 dhe 2020.

Bolat tha se hapja e Aeroportit të Istanbul-it në vitin 2018 mbështeti gjithashtu rritjen dhe fuqizimin e kompanisë, pasi zgjidhi problemin e mungesës së kapacitetit.

“Aeroporti i Istanbul-it ka kapacitetin për mbi 120 ngritje dhe ulje në orë. Aeroporti i ri ishte një domosdoshmëri për rritjen tonë”, theksoi ai.

Performancë e klasit botëror

Bolat shtoi se investitorët ishin të lumtur kur panë interesin e qartë të qeverisë për ta bërë sektorin e transportit ajror turk një faktor të klasit botëror, duke rezultuar në blerjen e më shumë aksioneve të THY-së.

“Pasagjerët gjithashtu preferuan të fluturojnë me ne për shkak të problemeve operacionale me të cilat përballen kompanitë ajrore evropiane dhe kjo e shtoi përfitimin tonë”, tha Bolat.

Ai theksoi se deri në fund të këtij viti, kompania ajrore synon të transportojë më shumë se 72 milionë pasagjerë dhe mbi 88 milionë vitin e ardhshëm.

Sipas të dhënave të fundit të Platformës së Informimit të Publikut të Türkiye-s (KAP), THY transportoi 66,3 milionë pasagjerë në periudhën janar-nëntor, që është 3,7 për qind më pak nga e njëjta periudhë krahasuar me vitin 2019 para pandemisë.

Kompania njoftoi të ardhura neto prej 2,25 miliardë dollarësh në tre tremujorët e parë të këtij viti, një rritje pesëfish në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019.

“Kjo është shifra më e madhe ndonjëherë në historinë e aviacionit të THY-së dhe aviacionit evropian, falë strategjive që kemi zbatuar gjatë pandemisë”, tha Bolat.

“Ne kishim projektuar rritjen e ndjeshme të kërkesës për udhëtime pas pandemisë dhe për këtë arsye vendosëm planet tona në përputhje me rrethanat, siç është ruajtja e fuqisë sonë punëtore”, shpjegoi ai.

“Kjo na dha një avantazh të madh kur u hoqën kufizimet e udhëtimit”, shtoi ai, duke thënë se shumica e kompanive të tjera ajrore evropiane ishin të papërgatitura.

Magnet turistik

Me fillimin e sezonit veror në qershor, rritja e trafikut ndërkombëtar ajror drejt dhe nga vendet evropiane shkaktoi krizë në shumë aeroporte, ku stafi ishte reduktuar për shkak të pandemisë COVID-19 dhe punonjësit ishin në grevë.

Bolat theksoi se THY regjistroi një rritje në numrin e pasagjerëve nga destinacioni në destinacion, si dhe të pasagjerëve me udhëtim të transferuar, veçanërisht në udhëtimet në distanca të gjata.

“Rritja e shifrës së pasagjerëve tanë erdhi edhe nga rritja e numrit të turistëve që vinin në Türkiye”, nënvizoi ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiye-s të publikuara javën e kaluar, numri i turistëve të huaj që vizituan vendin u rrit për 84,8 për qind nga viti në vit, duke arritur në 42,2 milionë në periudhën janar-nëntor.

Të dhënat e ministrisë thonë se kur këtij numri i shtohen shtetasit turq që jetojnë jashtë vendit, shifra 11-mujore shkon në 47,6 milionë.

“Ne kemi vendosur një rritje të kapacitetit prej 17-20 për qind për vitin e ardhshëm”, tha Bolat.

Qindra destinacione, numër i madh i avionëve

Bolat tha se THY ka një flotë prej më shumë se 390 avionësh, duke shtuar se synon të arrihet numri prej 427 avionësh deri në fund të vitit 2023.

“Ne presim dorëzimin e avionit tonë të 400-të në mes të shkurtit. Problemet me Boeing 787 në fabrikë kanë përfunduar. Avioni ynë i radhës do të arrijë në fund të këtij muaji”, tha ai.

Bolat tha se aktualisht, THY fluturon në 342 destinacione në 129 vende, duke përfshirë Türkiye-n, duke shtuar se objektivi për vitin e ardhshëm është të arrihen 346 destiancione.

Vitin e ardhshëm kompania ajrore do të shtojë në rrjetin e saj të fluturimeve qytete të rëndësishme amerikane si Denver dhe Detroit, si dhe Palermon në Itali dhe qytetin Katowice në Poloni.

Krahas destinacioneve të reja, Bolat tha se do të ketë rritje të frekuencës së fluturimeve në rrjetet aktuale.

Ai shtoi se THY synon të nisë fluturime direkte për në Australi në vend që të fluturojë me marrëveshje për ndarjen e kodeve.

“Ne duam të dërgojmë flamurin tonë në Sydney dhe Melbourne vitin e ardhshëm”, tha ai.

Bolat theksoi gjithashtu se kompania do të punësojë më shumë se 1.100 pilotë dhe 2.000 personel të ekuipazhit.

“Ne presim një rritje të kërkesës për pilotë. Kështu ne do të rrisim kapacitetin e akademisë sonë të fluturimit me 50 për qind për të trajnuar 300 pilotë në vit”, theksoi Bolat.

Duke folur në lidhje me AnadoluJet, një markë e THY-së, Bolat tha se synojnë një rritje prej pothuajse 50 për qind të frekuencës së fluturimeve deri në muajin mars, falë kërkesës së madhe në linjat e brendshme.

“AnadoluJet do të njihet gjithashtu si një linjë ajrore me kosto të ulët që ofron fluturime ndërkombëtare”, tha ai.

Bolat tha se investimet e THY-së në vitin 2022 arritën në 2,8 miliardë dollarë, kryesisht për blerjen e avionëve dhe motorëve.

“Ne kemi ndarë 3,8 miliardë dollarë për investime në vitin 2023”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme