Erdoğan priti në një takim homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy, pas të cilit tha se vendi i tij do të ishte një mikpritës ideal për bisedimet e mundshme në periudhën e ardhshme midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar mbështetje në bisedimet për një “paqe të qëndrueshme” midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu.
Erdoğan priti në një takim në Ankara homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ndërkohë në konferencën për media që pasoi, presidenti turk tha se vendi i tij do të ishte një mikpritës ideal për bisedimet e mundshme në periudhën e ardhshme midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.
“Theksova se do të ofrojmë të gjitha llojet e mbështetjes për të përfunduar procesin e negociatave me një paqe të qëndrueshme”, tha Erdoğan në lidhje me takimin me Zelenskyyn.
Lufta Rusi-Ukrainë, “e cila ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrime të mëdha, duhet të marrë fund tani”, shtoi ai.
Erdoğan riafirmoi qëndrimin e Ankarasë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke theksuar se këto janë “domosdoshmëri” nga pikëpamja e Türkiyes.
“Shpresoj se qoftë në bisedimet e kryediplomatit tonë me homologun e tij, qoftë edhe në bisedimet e mia me (presidentin rus Vladimir) Putinin, sigurojmë rrugën lidhur me paqen dhe hedhim hapa”, tha presidenti Erdoğan.
“Paqja nuk ka humbës. Tani e gjithë botë është në pritje të paqes në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës”, porositi ai.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se marrëdhëniet e vendit të tij me Türkiyen janë në nivel të lartë “ashtu si gjithmonë”. “Për këtë e falënderoj presidentin Erdoğan dhe gjithë popullin turk”, theksoi ai.
“Türkiye ka shfaqur një qëndrim shumë parimor për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, tha ai, duke shtuar se Ankaraja ka siguruar lehtësim për lirimin e ushtarëve dhe civilëve ukrainas.
Ndërkaq, në lidhje me bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite në lidhje me luftën në Ukrainë, Zelenskyy tha se ato kanë qenë befasi për Kievin. “E mësuam nga mediat”, shtoi presidenti ukrainas.