Türkiye, për transportin e foshnjave nga rajonet e prekura nga tërmeti përfshihet edhe avioni i Presidencës

Transporti i fëmijëve të prekur nga tërmeti, por edhe i të plagosurve të tjerë vijon të kryhet me të gjithe avionët në dispozicion ndërsa për transportin e foshnjave është caktuar avioni i Presidencës “DAP”

Në Ankara janë transportuar 15 foshnja të tjera nën moshën 1-vjeçare me avion presidencial nga rajonet e prekura nga tërmeti në jug të Türkiye-s, raporton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë së Türkiye-s, secilës prej foshnjave iu caktua një dado ndërsa grupi i transportit shoqërohet nga disa mjekë.

Transporti i fëmijëve të prekur nga tërmeti si dhe i të lënduarve të tjerë, vijon të kryhet me të gjithë avionët në dispozicion, ndërsa avioni i Presidencës “DAP” është caktuar për transportin e foshnjave.

Grupi i fundit i foshnjave u vendos në spitalin e qytetit Etlik, në kryeqytetin turk, Ankara.

Dy tërmete shkatërruese me intensitet 7.7 dhe 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit goditën pjesët jugore të Türkiye-s, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş më 6 shkurt ndërsa ekipe të shumta shpëtimi po punojnë me përkushtim për të kërkuar dhe shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave.

Kategoritë
BotaLajme