“Turqia po bën më të mirën për t’i dhënë fund krizës së grurit”

“Ne po bëjmë çmos për t’i dhënë fund krizës së grurit. Shpresojmë që do t’i japim fund me këtë marrëveshje. Dialogu midis vendeve është i rëndësishëm”, tha ministri turk i Mbrojtjes

Türkiye po bën më të mirën për të zgjidhur krizën e drithërave e cila u shfaq pas luftës Rusi-Ukrainë, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne po bëjmë çmos për t’i dhënë fund krizës së grurit. Shpresojmë që do t’i japim fund me këtë marrëveshje. Dialogu midis vendeve është i rëndësishëm”, tha Akar në një intervistë për CNN Turk.

Komentet e ministrit Akar erdhën pas marrëveshjes historike të nënshkruar nga Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina në Istanbul për rifillimin e dërgesave të grurit të Ukrainës nga portet e Detit të Zi.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres morën pjesë në Ceremoninë e Nënshkrimit të Dokumentit të Iniciativës për Transportin e Sigurt të Drithërave dhe Produkteve Ushqimore nga Portet e Ukrainës në Pallatin Dolmabahçe së bashku me përfaqësuesit nga Rusia dhe Ukraina.

Akar tha se qëllimi i marrëveshjes është të lehtësojë lundrimin e sigurt për eksportin e grurit dhe artikujve të tjerë ushqimorë nga portet ukrainase Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny.

Ai shtoi se për këtë qëllim do të formohet një qendër e përbashkët koordinuese në Istanbul.

Marrëveshja erdhi pas një ujdie të përgjithshme të arritur midis palëve mbi një plan të udhëhequr nga OKB-ja gjatë bisedimeve në Istanbul më 13 korrik për të formuar një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrje dhe dalje të porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues, Türkiye është koordinuar me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga qyteti port ukrainas i Odesës për të rifilluar dërgesat globale të drithërave që janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme