Turkoviç letër Daçiçit: Ardhja juaj për shënimin e 9 Janarit rrënon marrëdhëniet BeH-Serbi

“Ardhja e një delegacioni të lartë të Republikës së Serbisë dhe pjesëmarrja në aktivitete antikushtetuese dëmton drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Republikës së Serbisë”, shkruan kryediplomatja e BeH-së

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç, ka reaguar për vizitën e paralajmëruar të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç me rastin e shënimit të 9 Janarit, Dita e Republikës Sërpska, datë që nuk njihet nga Kushtetuta e BeH-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

“I nderuari ministër Daçiç, zyrtarë të Republikës së Serbisë, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të mira evropiane dhe rajonale, jeni të mirëseardhur në Bosnje e Hercegovinë. Ne duhet t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona në vlerësim dhe respekt të ndërsjellë. Megjithatë, më lejoni që në lidhje me vizitën e paralajmëruar të ju njoftoj juve si Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe delegacionit të Republikës së Serbisë se festimi i të ashtuquajturës dita e Republikës Sërbska më 9 janar është kundër vendimit të gjykatës së shkallës më të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Gjykatës Kushtetuese të BeH-së. Mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës është vepër penale dhe organizatorët e shënimit antikushtetues mund të jenë subjekt të një procesi gjyqësor”, tha Turkoviç, duke shtuar:

“Ardhja e një delegacioni të lartë të Republikës së Serbisë dhe pjesëmarrja në aktivitete antikushtetuese dëmton drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Republikës së Serbisë”.

Shënimi i 9 janarit si dita e RS-së, siç përcaktohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, është në kundërshtim me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, rikujtoi Turkoviç në letrën drejtuar Daçiçit të publikuar në llogarinë e saj në Facebook.

Turkoviç më tej thekson se “askush nuk e konteston të drejtën e entiteteve për të festuar festat e tyre që janë në përputhje me Kushtetutën apo për të mirëpritur zyrtarët e Republikës së Serbisë në BeH, por 9 janari, me vendim të gjykatës, nuk mund të festohet si dita e Republika Srpska”.

Kategoritë
LajmeRajoni