Turqi, numri i të vdekurve nga tërmetet rriten në të paktën në 2.316 dhe i të plagosurve në 13.293

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca.

Të paktën 2.316 persona kanë humbur jetën dhe 13.293 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca turke si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit, raporton Anadolu.

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Më vonë pasdite, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qarkun Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.

Orhan Tatar, menaxher i përgjithshëm departamentit të reduktimit të rrezikut në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD), tha se gjithsej 5.606 ndërtesa u shembën.

Ai gjithashtu tha se 6.800 njerëz u shpëtuan nga rrënojat.

Tatar theksoi se 250 milionë lira turke (rreth 13,3 milionë dollarë) fonde emergjente janë dërguar në provincat në zonën e fatkeqësisë deri më tani.

Ai shtoi se si një “vendim thjesht parandalues”, Kompania Turke e Naftësjellësit (BOTAS) ndaloi rrjedhën e naftës së papërpunuar në rajon.

Sipas AFAD-it, në rajon është përcaktuar personel kërkim-shpëtimi i përbrë prej rreth 9.700 personash.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se me këtë tërmet, Türkiye u trondit nga “katastrofa më e madhe” që nga tërmeti i Erzincanit të vitit 1939.

“Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet e tij që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha ai në zyrën e AFAD-it në kryeqytetin Ankara, ku po koordinonte punën e shpëtimit dhe të ndihmës.

Tërmeti është ndjerë edhe në disa vende fqinje të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë.

Ekipet e shpëtimit në gatishmëri

Presidenti Erdoğan uroi shërim të shpejtë për qytetarët e prekur nga tërmetet. Ai tha se AFAD-i dhe njësitë e tjera janë “në gatishmëri”.

Erdoğan tha se ekipet e shpëtimit u dërguan menjëherë në zonat e prekura nga tërmeti.

“Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë, AFAD, udhëheqjet e provincave dhe të gjitha institucionet e tjera filluan punën e tyre me shpejtësi. Ne gjithashtu po koordinojmë punën pas tërmetit. Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më parë dhe me sa më pak dëme dhe të vazhdojmë punën tonë”, tha ai.

AFAD tha se Türkiye lëshoi një alarm të nivelit 4, që përfshin një thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Pas një diskutimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, AFAD gjithashtu tha se ndihma ndërkombëtare kërkohet përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC).

“Oferta të ndihmës u morën nga shumë vende, veçanërisht Holanda, Azerbajxhani dhe Mbretëria e Bashkuar”, theksoi AFAD.

Ndërkohë, personeli i kujdesit shëndetësor i përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministria e Shëndetësisë u nisën nga Ankaraja për në rajon me dy avionë të ambulancës ushtarake.

Përveç ekipeve të shpëtimit, në rajon u dërguan edhe batanije, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

Türkiye krijon “korridorin e ndihmës ajrore”

Pas tërmetit, një “korridor i ndihmës ajrore” u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon.

“Ne mobilizuam avionët tanë për të dërguar ekipet mjekësore, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe automjetet e tyre në zonën e tërmetit. Ne kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve për të ofruar shërbimin e nevojshëm të transportit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë një A-400M i Forcave të Armatosura Turke, filluan të dërgojnë ekipe dhe automjete të kërkim-shpëtimit në rajon. Akar tha se avionët e ambulancës po ashtu po përdorin “korridorin e ndihmës ajrore”.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se një numër i mjaftueshëm ekipesh nga të 81 provincat janë në detyrë në zonat e fatkeqësisë dhe vazhdojnë shërbimet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

“Ambulancat tona ajrore dhe tokësore gjithashtu janë në shërbim në rajon. Aktualisht po kryejmë koordinimin nga Hatay, një nga provincat e prekura nga fatkeqësia e tërmetit”, njoftoi ministri Koca në rrjetet sociale.

Pas tërmeteve, ngushëllime erdhën nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiyen.

Kategoritë
BotaLajme