Turqi, rritet në 44.374 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet

Kreu i AFAD-it, Yunus Sezer tha se vazhdon puna intensive për ndërtimin e tendave, kontejnerëve dhe rezidencave të përhershme në kuadër të punimeve përmirësuese.

Kreu i Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiye-s (AFAD), Yunus Sezer njoftoi se është rritur në 44.374 numri i viktimave në vend nga tërmetet me qendër në Kahramanmaraş, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media në Qendrën e Menaxhimit të Situatave Emergjente të AFAD, Sezer rikujtoi se nga tërmeti kanë kaluar 21 ditë dhe se në këtë proces janë regjistruar tërmete mbi 5 ballë si dhe shumë pasgoditje të tjera.

“Deri më tanë janë shënuar 9.990 pasgoditje dhe në rajon vazhdon procesi i rimëkëmbjes dhe përmirësmit”, tha Sezer i cili shtoi se “Kanë përfunduar punimet e kërkim-shpëtimit në rreth 21 mijë ndërtesa. Aktualisht jemi fokusuar në punimet për heqjen e rrënojave”.

Sezer nënvizoi se vazhdon puna intensive për ndërtimin e tendave, kontejnerëve dhe rezidencave të përhershme në kuadër të punimeve përmirësuese.

“Të gjithë hapat po ndërmerren për normalizimin sa më të shpejtë të jetës. Fatkeqësisht në këtë proces kemi humbur 44.374 persona. Uroj mëshirën e Allahut, ngushëllimet për kombin tonë. Vazhdon një punë intensive. Aktualisht, 8.182 efektivë të kërkim-shpëtimit po shoqërojnë punimet për rrënojat dhe punimet e tjera që kryhen aty dhe po ashtu një personel prej afërsisht 230 mijë personash aktualisht po vazhdojnë atje punimet”, tha ai.

Sezer tha se nga kërkimi dhe shpëtimi ndërkombëtar, një personel prej 1.180 personash ende po përpiqen të mbështesin aktivitetet e ndihmës humanitare.

“Në qyteza dhe qytetet tona vazhdojnë punimet për rrënojat. Aktualisht në rajon janë aktive 12.171 makineri ndërtimi. Po përdorim gjerësisht mjetet ajrere për të dërguar ndihmat humanitare dhe tendat. Ne po përpiqemi të arrijmë në fshatrat tona dhe në pikat më të largëta në zonën e tërmetit. Në këtë rajon po operojnë intensivisht elementet ajrore që u përkasin forcave tona ajrore, tokësore, Rojës bregdetare, policisë, xhandarmërisë dhe forcave detare”, tha Sezer.

Ai vuri në dukje se me 78 avionë dhe 116 helikopterë janë kryer 13.771 fluturime.

 

– “Dërgojmë mesatarisht mbi 10 mijë tenda në ditë”

Duke nënvizuar se në kuadër të strehimit ata kanë ngritur intensivisht qytete me tenda, Sezer tha: “Për shkak të këtyre pasgoditjeve, kërkesat individuale për tenda vazhdojnë intensivisht. Ne dërgojmë mesatarisht mbi 10 mijë tenda në rajon në ditë dhe i dërgojmë ato në vendet më të largëta. Aktualisht në rajon kemi 287 qytete tendash. Nuk po ndërtojmë vetëm qytete tendash, po përpiqemi të krijojmë zona të rregullta ku do të ofrohen të gjitha llojet e mbështetjes psiko-sociale së bashku me mjediset e tyre sociale”.

Pasi bëri të ditur se synojnë të vënë në punë më shumë se 100 mijë kontejnerë në një kohë të shkurtër, Sezer theksoi se “Në lidhje me këtë deri më tani janë përcaktuar 143 zona dhe në 97 prej tyre vazhdojnë intensivisht punimet infrastrukturore. Madje, 4 prej tyre kanë përfunduar dje. Në 97 zonat që përmenda punimet e infrastrukturës kanë përfunduar rreth 50 për qind. Ndërkohë vazhdon puna e instalimit të më shumë se 10 mijë kontejnerëve në rajon”.

“Për sa i përket numrit të personave të akomoduar në zonën e fatkeqësisë, 1.531.283 qytetarë të prekur nga fatkeqësia janë pritur në tenda, qytete konteinerësh, bujtina publike dhe zona të përshtatshme në zonat e fatkeqësisë. Kemi edhe 563 mijë qytetarë që janë evakuuar jashtë zonës së fatkeqësisë. Përpjekjet tona vazhdojmë për plotësimin e nevojave si strehimore ashtu edhe të tjera nëpërmjet komisioneve të formuara së bashku me AFAD-in dhe njësitë e tjera nën koordinimin e guvernatorëve në krahinat ku ato ndodhen”, tha ai.

Duke potencuar se 334.321 nga qytetarët e evakuuar kanë qëndruar në bujtina dhe hotele jashtë zonës së fatkeqësisë, Sezer tha: “Nën koordinimin Gjysmëhënës së Kuqe Turke vazhdon puna në rajon si me organizatat joqeveritare ashtu edhe me njësitë përkatëse të ministrive tona në aspektin ushqimor. Aktualisht po përgatiten 80 milionë e 965 mijë vakte të ngrohta dhe 14 milionë e 539 mijë pako ushqimore shpërndahen në rajon”.

Më tej ai njoftoi se vazhdon edhe mbështetja psiko-sociale dhe se aktualisht në rajon janë duke punuar 7.327 personel dhe se është dhënë mbështetje psiko-sociale për rreth një milion njerëz.

Kategoritë
BotaLajme