Turqia, Azerbajxhani dhe Turkmenistani bien dakord për rritjen e bashkëpunimit

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të përbashkëta për gazin natyror të Turkmenistanit për të mirën e tre vendeve dhe kemi vendosur të formojmë një grup pune për këtë çështje”, tha Çavuşoğlu.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu ka bërë të ditur se Türkiye, Azerbajxhani dhe Turkmenistani ranë dakord të rrisin më tej bashkëpunimin në disa fusha, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me deklaratën e përbashkët të miratuar në samit, krerët e vendeve tona theksuan vullnetin tonë për të zhvilluar bashkëpunimin tonë në nivelin më të lartë. Sapo kemi nënshkruar pesë dokumente në fushën e energjisë, tregtisë, ekonomisë, doganave, transportit, shkencës, arsimit dhe kulturës”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për media me homologët e tyre azerbajxhanas dhe turkmen.

Deklaratat e tij vijnë pas një samiti trepalësh midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe presidentit turkmen, Serdar Berdimuhamedov, në qytetin perëndimor Avaza të Turkmenistanit, ku ata diskutuan hapat për thellimin e bashkëpunimit midis tre vendeve në fusha të ndryshme.

Çavuşoğlu tha se një nga pikat më të rëndësishme të agjendës së samitit trepalësh është forcimi i bashkëpunimit energjetik mes tre vendeve.

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të përbashkëta për gazin natyror të Turkmenistanit për të mirën e tre vendeve dhe kemi vendosur të formojmë një grup pune për këtë çështje”, tha Çavuşoğlu.

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu tha se me marrëveshjet e nënshkruara në samit në fushën e tregtisë dhe doganave do të zhvillojnë më tej bashkëpunimin ekonomik mes tre vendeve.

“Vizioni i bashkëpunimit i paraqitur sot do të kontribuojë në prosperitetin dhe stabilitetin jo vetëm të tre vendeve, por edhe të vendeve fqinje”, tha ai.

Treshja nënshkroi pesë marrëveshje në fusha të ndryshme, përfshirë në tregti, kulturë, energji dhe transport, me anë të të cilave synojnë të forcojnë bashkëpunimin.

Kategoritë
BotaLajme