Turqia dënon fuqishëm vendimin e SHBA-së për të hequr embargon e armëve ndaj Administratës Greke Qipriote

“Ky vendim do të ndikojë negativisht në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e Qipros dhe do të çojë në një garë armësh në ishull, duke dëmtuar paqen dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor”, tha Ministria e Jashtme

Türkiye dënoi “fuqishëm” vendimin e SHBA-së për heqjen e embargos së armëve ndaj Administratës Greke Qipriote, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë fuqishëm zgjerimin e kornizës së vendimit të marrë nga SHBA-ja në shtator 2020 për heqjen e embargos së armëve ndaj Administratës Greke Qipriote”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

“Ky vendim, i cili është në kundërshtim me parimin e barazisë së të dy palëve në ishull dhe që do të forcojë më tej mospajtueshmërinë e palës greke qipriote, do të ndikojë negativisht në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e Qipros; dhe do të çojë në një garë armësh në ishull, duke dëmtuar paqen dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor”, shtoi Ministria.

SHBA-ja hoqi kufizimet e tregtisë së mbrojtjes ndaj Administratës Greke të Qipros Jugore për vitin fiskal 2023, tha të premten Departamenti i Shtetit.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken përcaktoi dhe ia vërtetoi Kongresit se Republika e Qipros (Administrata Greke e Qipros Jugore) ka përmbushur kushtet e nevojshme sipas legjislacionit përkatës për të lejuar miratimin e eksporteve, rieksporteve dhe transferimit të artikujve të mbrojtjes”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Politika e SHBA-së kërkon mohimin e eksporteve, rieksporteve ose transferimit të artikujve të mbrojtjes në Qipro, përveç nëse presidenti përcakton dhe vërteton te komitetet e Kongresit se autoritetet atje po bashkëpunojnë me Washington-in për të zbatuar rregulloret kundër pastrimit të parave dhe reformat e mbikëqyrjes rregullatore financiare.

Ankaraja u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara “të rishqyrtojnë këtë vendim dhe të ndjekin një politikë të ekuilibruar ndaj të dy palëve në ishull”.

“Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë SHBA-në, duhet të riafirmojë barazinë e sovranitetit dhe statusin e barabartë ndërkombëtar të popullit turk qipriot, të cilët u konfirmuan gjithashtu nga Marrëveshjet e viteve 1959-60, dhe të veprojnë në përputhje”, thuhet në reagim.

“Në çdo rast, Türkiye, si vend garantues, në përputhje me përgjegjësitë e saj ligjore dhe historike, do të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzistencën, sigurinë dhe qetësinë e turqve qipriotë, me të gjitha mjetet”, theksoi Ministria e Jashtme.

Kategoritë
BotaLajme