Turqia dënon sulmet kundër Arabisë Saudite

Ministria e Jashtme e Turqisë ka dënuar sulmet e kryera me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ndaj objektivave civile në Arabinë Saudite

Ministria e Jashtme e Turqisë ka dënuar sulmet e kryera me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ndaj objektivave civile në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë ministria njoftoi se dënon sulmet e kryera dje me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ndaj objektivave civile në Arabinë Saudite.

“Është thelbësore që akte të tilla terroriste që kanë në objektiv paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë të përfundojnë sa më parë të jetë e mundur. Theksojmë edhe një herë solidarizimin tonë me Arabinë Saudite dhe angazhimin tonë për sigurinë e rajonit të Gjirit”, thuhet në deklaratë.

– Sulmet e Huthive ndaj Arabisë Saudite

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree pretendon se krahas kryeqytetit saudit Rijad kanë ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë në Xheda, Jazan dhe në disa rajone të tjera.

Zëdhënësi i Koalicionit Arab që ofron mbështetje ndaj forcave qeveritare në Jemen, Turki Al-Maliki ka deklaruar se është sulmuar fabrika e shpërndarjes së naftës që i përket kompanisë Aramco në Xheda.

Sulmi është kryer nga “milicët terroristë Huthi me mbështetje iraniane në Jemen”, ka thënë Al-Maliki duke shtuar se një zjarr ka shpërthyer në dy depo të naftës në fabrikë

Kategoritë
BotaLajme