Turqia do të stimulojë depozitat për të inkurajuar qytetarët të kalojnë nga ari në lira

Kjo masë e Bankës Qendrore Turke vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur lirën turke.

Banka Qendrore Turke ka njoftuar se do të ofrojë stimuj për të inkurajuar njerëzit që të kalojnë nga depozitat në ar, në depozitat në lira, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kjo masë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur lirën turke.

Nga banka përmes një deklarate njoftuan se kanë vendosur “të ofrojnë stimuj për pronarët e depozitave dhe fondeve të pjesëmarrjes në rast se ata konvertojnë depozitat e tyre të arit dhe fondeve të pjesëmarrjes në llogari të depozitave të afatizuara në lirën turke”.

Sipas analistëve, shuma e përgjithshme e llogarive të depozitave në ar aktualisht qëndron në 270 miliardë lira turke (rreth 22,4 miliardë dollarë), ndërsa shuma e llogarive me afat skadimi tremujor është rreth 15 miliardë lira turke (rreth 1,2 miliardë dollarë).

Qeveria turke së fundmi ka shpalosur një mekanizëm të ri për të kompensuar depozituesit e lirës për luhatjet e tregut të valutave.

Instrumentet e reja për depozitat e lirës turke të mbrojtur nga këmbimi valutor do të jenë të disponueshme për njerëzit që kanë një llogari të depozitave në lira me një afat skadimi prej tre, gjashtë, nëntë ose 12 muajsh.

Sipas instrumentit, nëse rezultati përfundimtar është nën kursin e këmbimit, qeveria është zotuar të paguajë diferencën midis vlerës së kursimeve në lira dhe depozitave ekuivalente në dollarë.

Kategoritë
BotaLajme